Të gjithë despotët e dinë se propaganda është themelore për të arritur rezultatet, por Vladimir Putini e ka një primat: ka qenë i pari që ka shfrytëzuar pushtetin e jashtëzakonshëm që kanë rrjetet sociale.

Tani që në Rumani gjykatësit kanë bllokuar zgjedhjet, me një vendim i cili është kontestuar nga disa por i bazuar në manovrat e padiskutueshme që ka bërë Moska, në Kremlin është duke u festuar 12 vjetëshi i parë i ndërhyrjeve në zgjedhjet në vende të tjera.

Operacioni mëi njohur dhe studiuar u ndërtua në vitin 2014 nga një personazh ende i panjohur në perëndim, por shumë i famshëm në Rusi për faktin që kishte akumuluar shumë pasuri me mensat, aq sa kish marrë nofkën “Kuzhinieri i Putinit”: Yevgeny Viktorovich Prigozhini nuk kufizohej vetëm tek kuzhina, por tërhiqte edhe fijet e një agjencie misterioze, Internet Research Agency (IRA), e cila kujdesej për interesat e Carit duke përhapur lajme të rreme.

Në vitin 2014 ai vendosi në shënjestër objektivin më të madh: Shtetet e Bashkuara. Ai krijoi 470 llogari të rreme në Facebook, të cilat postuan 80,000 postime deri në zgjedhjet e vitit 2016, duke arritur tek mbi 126 milionë njerëz. E gjitha është shkruar me saktësi në raportin prej 381 faqesh të prokurorit special Robert Mueller, të cilit iu besua hetimi nga qeveria amerikane, pas skandalit.

Çfarë kishte në postimet e Prigozhinit? Jo vetëm se duhej të votonim për Donald Trumpin: propaganda ishte gjithashtu shumë më e rafinuar. Profilet e rreme përhapnin lajme të rreme dhe u kushtoheshin ideve politike kundërshtare: kishte nga ata në favor të zezakëve (siç është “Black Matters”) dhe ata kundër emigrantëve (“Ndalni të gjithë emigrantët”), ata që mbështesnin homoseksualët (“LGBT United”) dhe ato fetare (“United Muslims of America”).

Kishte gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje. Pse? Për të mbuluar segmentet e ndryshme të mundshme të elektoratit, dhe gjithashtu për të shfrytëzuar mekanizmin tipik të rrjeteve sociale “echo chambers”, i cili u mundëson përdoruesve të shohin vetëm opinionet e veta, duke i radikalizuar ata.

Ky “polarizim” favorizoi Trumpin, edhe pse për Muellerin nuk kishte provë që ai kishte dijeni për “masat aktive” të rusëve.

IRA, siç u zbulua më vonë, kishte zbritur në terren që dy vjet më herët. Në vitin 2012 kishte krijuar në Tuiter 419 llogari për të mbështetur arsyetimin e daljes së Britanisë së Madhe nga BE dhe për të destabilizuar Bashkimin Evropian. Në shkurt të vitit 2014 kishte përhapur gënjeshtra mbi masakrat e ukrainasve në Krime për të justifikuar pushtimin. Dhe kushedi sa herë të tjera kanë vepruar pa u zbuluar.

Dihet se cili qe fundi i Prigozhinit. Pasi u bë krahu i armatosur i Moskës në Ukrainë me brigadat Vagner, bëri një përpjekje për grusht shteti dhe ekziston dyshimi që u vra. Për ironi të fatit, pasi krijoi fabrikën e lajmeve të rreme, përfundoi edhe vetë viktimë e një prej tyre.

Putini ofroi një shpjegim të pagjasë të vdekjes së tij: avioni i tij nuk ishte goditur, por ishte rrëzuar prej një shpërthimit të një bombe që Kuzhinieri kishte në dorë, duke luajtur.

Vdekja e tij në 2023, megjithatë nuk e pengoi Moskën të vazhdojë të fusë hundët në zgjedhjet e vendeve të tjera. Në prag të zgjedhjeve evropiane, këtë vit, një llogari me origjinë të gjurmuar tek një adresë ruse, @GNaktiv shpërndau fotografinë e rreme të arrestimit të Ursula von der Leyenit, e krijuar me Inteligjencë Artificiale: gjë e cila shënonte një progres teknologjik.

Ashtu sikurse shënon evolucion fushata elektorale rumune e këtyre ditëve, që ka përdorur një rrjet social për të rinjtë, siç është TikTok dhe nuk u kufizua në krijimin e profileve fallco, por pagoi influencues të vërtetë që të mbështesnin kandidatin filorus, duke sjellë suksesin e tij, edhe pse vinte nga hiçi. Edhe ata që kritikojnë anullimin e zgjedhjeve nuk kundërshtojnë faktin që propaganda e Kremlinit ishte përcaktuese.

Nga vitet 1980 është folur shumë për ndikimin e televizionit në fushatat zgjedhore, ndoshta duke e mbivlerësuar. Tani nuk ngrihen mjaftueshëm pikëpyetje mbi ndikimin e rrjeteve sociale, ndoshta duke e nënvlerësuar. Ndoshta është rastësi që Trumpi ishte aleat me shumë të fuqishmin Elon Musk, pronar i X, i cili ka 200 milionë ndjekës?

Ndikimi i vërtetë i rrjeteve sociale, në fakt, nuk qëndron aq shumë në mbështetjen direkte dhe eksplicite, e cila edhe ajo duhet të rregullohet, se sa tek llogaritë fallco, tek lajmet e rreme, tek teoritë e komplotit, tek influencuesit e paguar nën dorë. Nuk është e lehtë të masësh se sa shumë këto veprime munden të ndryshojnë sjelljen e zgjedhësve. E sigurtë është që, qysh kur ekzistojnë rrjetet sociale përhapja e lajmeve të rreme ka arritur një nivel të paprecedentë. Dhe gënjeshtrat, sipas një studimi të MIT, përhapen gjashtë herë më shpejt se sa të vërtetat, pasi krijojnë emocione më të forta dhe më të thella.

Bashkimi Evropian po lëviz: ka vendosur kufizime me “Digital Services Act” dhe në çështjen rumune ka ndërhyrë duke urdhëruar TikTokun që të ruajë të gjitha të dhënat, për të mundësuar hetime në të ardhmen.

Po a do të mjaftojë? Jemi në prag të zgjedhjeve të rëndësishme në Gjermani dhe ndoshta edhe në Francë. Që vota të jetë vërtetë e lirë, që të mund të flitet për demokraci, votuesit do të duhet të krijojnë bindjet e tyre pa kushtëzime dhe as manipulime. / bota.al