Presidenti francez Emmanuel Macron ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit Michel Barnier një ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit nga deputetët. Sipas një deklarate të lëshuar nga Elysée thuhet se Barnier do të sigurojë, së bashku me anëtarët e qeverisë, menaxhimin e çështjeve aktuale deri në emërimin e një qeverie të re.

“Kryeministri paraqiti sot dorëheqjen e qeverisë së tij te Presidenti i Republikës, i cili e pranoi atë. Michel Barnier do të sigurojë, së bashku me anëtarët e qeverisë, menaxhimin e çështjeve aktuale deri në emërimin e një qeverie të re”, deklaroi Elysée në një njoftim për shtyp.

Presidenti Emmanuel Macron do të mbajë një fjalim televiziv për kombin sonte në orën 20:00. Ngjarja e djeshme shënon herën e parë që qeveria franceze rrëzohet me një votë mosbesimi që nga viti 1962. Më herët gjatë fjalës së tij Michel Barnier tha se vështirësitë fiskale të Francës “nuk do të zhduken” me një votë mosbesimi, pasi ai mbron buxhetin e tij të kontestuar.

Sipas mediave të huajam, Barnier ka të ngjarë të qëndrojë si kryeministër “kujdestar” pasi Presidenti i Francës Emmanuel Macron zgjedh një pasardhës në detyrë. Kjo nuk ishte detyrë e lehtë për Macron, pasi gajtë verës iu deshën dy muaj për të zgjedhur një emër që nuk do të rrëzohej menjëherë nga një prej fraksioneve të mëdha parlamentare.

Ekziston gjithashtu një mundësi që Macron të emërojë një qeveri teknike, por kjo ka të ngjarë të mos zgjasë shumë si alternativë. Gjithashtu mediat e huaja analizojnë se se zgjedhjet e reja nuk janë një opsion sepse sipas kushtetutës franceze, ato nuk mund të thirren brenda një viti nga votimet e mëparshme, të cilat në këtë rast u zhvilluan korrikun e kaluar.