Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ishte sot në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

Ai theksoi se në nivel global aktorë kryesorë të luftës hibride dhe në çdo sulm kibernetik janë të ashtuquajturit “Big Four” 4 shtetet kryesore: Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Në Ballkanin Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia, theksoi ministri, duke shtuar se kjo e fundit vepron përmes shteteve satelite si Serbia.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se 90% e propagandës ruse bëhet në gjuhën serbe, ndërsa shtoi se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon, i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe.
Hoxha: Në ditët e sotme intensifikimi dhe përhapja e shpejtë e kërcënimeve hibride paraqitet si një sfidë shumë serioze dhe komplekse për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve demokratike. Shqipëria, si një vend i ndërvarur nga zhvillimet ekonomike rajonale e globale, dhe nga ana tjetër, duke qenë një vend anëtar i NATO-s si dhe kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e konsideron aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve hibride si një prioritetet madhor, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare, kohezionin social dhe garantimin e vazhdimësisë së të gjitha shërbimeve të sigurisë kombëtare.
Në saje të teknologjisë së avancuar dhe globalizimit, format e luftës hibride, janë bërë më të sofistikuara dhe të ndërlikuara, duke kombinuar mjete ushtarake dhe jo-ushtarake, metoda të fshehta dhe të hapura, si dhe përdorimin e dezinformimit nëpërmjet sulmeve kibernetike, presionit ekonomik e investimeve të kushtëzuara në funksion të destabilizimit të rendit demokratik shoqëror dhe disfunksionimit të institucioneve shtetërore.
Ministria e Brendshme e ka vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave të qëndrueshme dhe efektive për parandalimin, mbrojtjen dhe reagimin efektiv ndaj këtyre kërcënimeve.
Tashmë ka një vlerësim të përbashkët të institucioneve në përballja me kërcënimet hibride e cila kërkon një qasje të integruar dhe ndërinstitucionale gjithëpërfshirëse, duke përfshirë këtu bashkëpunimin dhe koordinimin mes të gjitha strukturave dhe agjencive shtetërore që janë të angazhuara në fushën e sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në këtë kuadër rritja e qëndrueshmërisë në infrastrukturën kritike të informacionit; forcimi i kapaciteteve për zbulimin, parandalimin dhe kundërshtimin e kërcënimeve hibride, përmes investimeve në teknologji; edukimi i publikut dhe forcimi i institucioneve demokratike, mbeten jetike për përmbushjen e objektivave strategjikë për përballimin e kësaj sfide.
Analizimi i kërcënimeve hibride dhe sugjerime për masa të koordinuara në nivel evropian dhe me aktorë të tjerë si SHBA-në, për të trajtuar kërcënimet që përfshijnë sulmet kibernetike, operacionet “hack-and-leak”, spiunazhin kibernetik dhe aktivitetet e tjera të dëmshme, që kërkojnë një bashkëpunim ndërkombëtar për t’u trajtuar në mënyrë efektive.

Vlerësimet e institucioneve të ndryshme të vendeve evropiane dhe ato amerikane, burimet e inteligjencës të vendeve partnere, por edhe vlerësimet e strukturave tona të specializuara, konkludojnë se autorët kryesorë të fushatave hibride dhe formave kryesore të tyre në sulmet kibernetike si dhe të çdo aktiviteti tjetër të “zonës Gri” janë aktorë shtetërorë dhe organizma të sponsorizuar prej tyre, dhe më pak organizata biznesi jo-qeveritare.
Në nivel global, është gjerësisht e pranuar se aktorë kryesorë të luftës hibride dhe në çdo sulm kibernetik janë të ashtuquajturit “Big Four” 4 shtetet kryesore: Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër vendet më aktive në luftën hibride është Rusia. Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndodhet i ndarë dhe në të veprojnë forca konkurruese politike. Vlerësohet se Rusia ka shtuar prezencën dhe ndikimin në rajon, duke kundërshtuar dhe vonuar procesin e integrimit evropian të këtyre vendeve, nëpërmjet influencës politike, por edhe ekonomike.

Gjithashtu pranohet se propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe shpërndahet nëpërmjet satelitëve të saj në rajon.
Të njëjtat burime perëndimore vlerësojnë se 90% e propagandës ruse dhe e këtyre fushatave bëhet në gjuhën serbe.
Duhet theksuar fakti se Shqipëria është më pak e prekura dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe e satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit, vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon, i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe. Këto vazhdojnë të kenë një shikueshmëri dhe lexueshmëri të kufizuar dhe një numër të vogël klikimesh.

Format kryesore të dezinformimit përfshijnë:
-Sulme kibernetike, duke ndërhyrë në baza elektronike të të dhënave qeveritare;
-Manipulimi i mediave sociale, për të ndikuar në perceptimet publike dhe për të polarizuar opinionin e ushtruar kryesisht nga të ashtuquajturat “synthetic media” ose lajme të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale;
-Narrativa kulturore, duke shfrytëzuar tensionet fetare ose etnike për qëllime destabilizimi;
-Mediat tradicionale audiovizive, të cilat përdoren për përhapjen e informacioneve të manipuluara.

Ashtu siç jeni në dijeni, në korrik të vitit 2022, Republika e Shqipërisë ra pre e sulmeve kibernetike të organizuar nga një grup hakerësh, me origjinë nga Irani. Objektivi i këtyre sulmeve ishte ndërprerja e shërbimeve qeveritare dhe bllokimi i faqeve të internetit të shërbimeve kombëtare. Falë bashkëpunimit të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si dhe FBI plus “Microsoft Office” u arrit minimizimi i dëmeve të shkaktuara nga ky sulm.
Krahas këtij sulmi, përgjatë periudhës kohore 2023-2024, Shqipëria është përballuar dhe me sulme të tjera kibernetike të infrastrukturave të saj kritike të informacionit.

Në përgjigje të formave të reja të kërcënimeve të shfaqura dhe në kuadër të respektimit të angazhimeve si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria i ka kushtuar rëndësi të veçantë forcimit të kuadrit ligjor strategjik. Nga analiza e bërë rezulton se vendi ynë ka një kuadër të plotë ligjor dhe strategjik në fushën e sigurisë kombëtare dhe më konkretisht dhe për mbrojtjen e reagimin nga sulmet me natyrë hibride dhe nga aktivitete të ndryshme të të ashtuquajturës “Zonë Gri”.
Më konkretisht, edhe për shkak se pak javë më vonë hyjmë në një proces elektoral, dua t’ju them se Drejtoria e Përgjithshme e
Gjendjes Civile ka disa detyrime të rëndësishme gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare, të cilat lidhen kryesisht me:
-sigurimin dhe identifikimit të saktë të qytetarëve që mund të votojnë;
-përgatitjen dhe përditësimin e listave të zgjedhësve, duke përdorur të dhënat nga regjistri i Gjendjes Civile;
-verifikimin e saktësisë së të dhënave të zgjedhësve;
-regjistrimin e zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit, duke siguruar që ata të kenë mundësi të votojnë;
-lëshimin e dokumenteve të identifikimit për zgjedhësit;
– përditësimin e regjistrave të Gjendjes Civile duke pasur parasysh çdo ndryshim që mund të ketë ndodhur gjatë procesit zgjedhor, siç janë ndryshimet e statusit të qytetarëve (vdekje, ndryshime emrash, etj.).
Në kuadër të marrjes së masave për organizimin e procesit zgjedhor të vitit 2025, Ministria e Brendshme ka nisur dhe do të përmirësojë të gjitha mekanizma që të ndihmojnë votuesit nga jashtë vendit për rinovimin e dokumenteve të identifikimit. Tashmë kjo kategori votuesish nuk ka detyrim për të aplikuar për dy kategoritë e dokumenteve të identifikimit, duke ulur kostot e këtij shërbimi pasi ky quhet tashmë një proces i përmirësuar.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme si pjesë e arkitekturës institucionale për parandalimin e dezinfomimit dhe kërcënimeve hibride ndjek me vëmendje zhvillimet e kuadrit ligjor të Bashkimit Evropian në lidhje me dezinformimin me qëllim identifikimin e nevojave për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator kombëtar.
Aktualisht në Kodin Penal të Shqipërisë nuk është i përkufizuar termi “dezinformim” ndërsa lidhur me termin “shtrembërim të informacionit” janë të parashikuara vepra penale, që adresojnë shpërndarjen e informacioneve të rreme.

Rishikimi i Kodit Penal, i cili është aktualisht në proces, duhet të mbajë në konsideratë edhe aspektet e zhvillimeve më të fundit të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe implementimit të tij sipas vendeve të BE dhe Ministria e Brendshme përmes strukturave të saj mbetet e gatshme ta sjellë në vëmendje edhe këtë aspekt në çdo fazë të konsultimit të tij.