Pep Guardiola dhe Jose Mourinho, të dy trajnerë të mëdhenj e fitues, por krejtësisht të ndryshëm për futbollin që praktikojnë skuadrat e tyre.

Po ashtu, dihet botërorisht se mes spanjollit dhe portugezit nuk ka pasur kurrë “një ndjenjë” të mirë dhe nuk ka patur asnjë rast, që një diskutim i tyre nuk ka prodhuar polemika.

Rasti më i fundit është përplasja në distancë dhe plot kunja mes dy teknikëve.
Gjithçka nisi me deklaratën e Guardiola-s pas gjestit që bëri ndaj tifozëve të Liverpool, i njëjtë me atë të Mourinho disa vite më parë.

“Në fund të fundit jam i njëjtë me Jose. Vetëm se ai ka fituar tre herë dhe unë gjashtë Premier Liga”,- ishin fjalët e teknikut të Manchester City.
Sigurisht, që Murinho nuk i ka pritur me humor, ndërsa menjëherë ka nisur kundërsulmin.

“Guardiola tha diçka në lidhje me mua. Unë kam fituar tre herë Premier, por e kam bërë në mënyrë të rregullt. Nuk dua të ngre trofe dhe të përballem me 150 çështje ligjore”,- ka thënë “Special One”, duke iu referuar akuzave me të cilat përballet Manchester City për shkelje të rregullave të “Fair Play Financiar”.