Ish-zëvendëskryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi ka reaguar pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shprehet se ky vendim e ka prekur drejtpërdrejtë dhe personalisht, pasi siç shprehet ‘jetën e tij publike ia kishte kushtuar vlerave demokratike perëndimore’ dhe se kishte punuar për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Më tej thekson se ka mungesë të informacionit të detajuar dhe se do të angazhohet maksimalisht me përkushtim për ta zbardhur çështjen.

“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht.

Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi kete të hënë se ka përcaktuar ish Zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit Enver Bexhetin si persona të padëshiruar për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion.