Abu Muhammad al-Jolani, i dërguar nga kalifi i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi për të krijuar degën siriane të al-Kaedës, u bë udhëheqësi më i rëndësishëm i revolucionit sirian. Ai u bë ‘ushtar’ në Irak në vitin 2003 dhe duke qenë se ishte me origjinë nga Siria, u kthye në vend në vitin 2011.

Dalja e tij e parë publike ishte në vitin 2016, kur ai njoftoi ndarjen e tij nga al-Kaeda për të formuar Jabhat Fateh al-Sham, i cili më vonë u riemërua në Hajat Tahrir al-Sham (HTS). Me këtë lëvizje ai donte të diferencohej nga e kaluara radikale islamike për të shmangur shënjestrimin e komunitetit ndërkombëtar.

Kështu, me kalimin e viteve, ai është përpjekur të paraqesë një profil më të moderuar, madje duke veshur xhaketa ushtarake të stilit perëndimor në vend të uniformës tradicionale të xhihadistëve të ISIS-it. 7 vjet më parë, SHBA ofroi një shpërblim prej dhjetë milionë dollarësh për “kokën” e ish-ekstreministit të ISIS.

Por organizata “HTS” mbetet në listën amerikane të organizatave terroriste. Me avantazhin që i jep udhëheqjen e forcave që rrëzuan regjimin e Asadit, ai do të përpiqet të legjitimohet si bashkëbiseduesi i fortë i të gjitha fuqive ndërkombëtare për procesin e formësimit të qeverisë së re në Siri.

Ai dhe organizata e tij vitet e fundit kanë kundërshtuar ISIS-in, i cili pas ndërhyrjes së fortë si të rusëve dhe iranianëve ashtu edhe të amerikanëve, është kufizuar në xhepa të vegjël në brendësi të Sirisë, por sërish mbetet i gjallë.