Brenda 11 ditësh një nga regjimet diktatoriale më të egra të shekullit të 21 në një rajon që prej dekadash njeh vetëm dhunën, ai i familjes Assad, u rrëzua nga një ofensivë e mbi 12 grupesh e fraksionesh të armatosura, ku më i madhi dhe kryesori në këtë ofensivë është Hayat Tahrir al Sham (HTS), i udhëhequr nga Muhamad al-Jolani (emri i betejës).

Ai tashmë dëshiron të thirret me emrin e tij të lindjes Ahmed al Sharaa.
Rënia ndodhi shumë shpejt. Qyteti i dytë më i madh i Sirisë, Aleppo, u pushtua në 24 orë, ndërsa linjat e frontit të regjimit sirian u shembën njëra pas tjetrës.
Kishte pothuaj një pesëvjeçar, që pas akordit të fundit midis Turqisë dhe Rusisë në dhjetor të 2019, që linjat e ndarjes së territorit mes fraksioneve rebele dhe atyre besnike të qeverisë së Assad-it ishin të ngrira. Duke dhënë në mënyrë paradoksale idenë e stabilitetit, me regjimin e Assad-it si fitues.

Nga këtu dhe rikthimi drejt Bashar al-Assad’it për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike nga shumë prej vendeve arabe. Dhe jo vetëm. Kohët e fundit, një grup prej 10 shtetesh evropiane, të udhëhequr nga Italia, u bashkuan dhe filluan përpjekjet për gjetjen e mundësive të një normalizimi të regjimit sirian edhe brenda familjes evropiane drejt dy qëllimeve kryesore: kthimin e refugjatëve dhe rindërtimin e Sirisë.

Regjimi i Assad-it pa dyshim është një nga më mizorët brenda një rajoni ku dhuna dhe ligji i më të fortit triumfon prej dekadash. Për këdo që ka ndjekur fillimet e revolucionit sirian në filizat e tij dhe shtypjen mizore me të cilën u godit, ndjekur në thelb nga indiferenca perëndimore, dita e së dielës, e ardhur në mënyrën më të befasishme të mundshme, pa dyshim është sukses i merituar për popullin sirian.

Histori e përgjakshme

Duke filluar nga viti 1979 me represionin kundër një dege radikale të Vëllazërisë Myslimane shënjohet fillimi i në represioni të përgjithësuar (jo më vetëm kundërshtarëve politikë të cilin Hafez al-Assad e ushtroi nga ardhja e tij në pushtet në 1971) i cili synoi të gjitha forcat politike në vend dhe shkatërroi autonominë e vogël relative që mbeti për disa organizata të shoqërisë civile.

Duhet mbajtur mend këtu se Alois Brunner, një nga aktorët kryesorë në “zgjidhjen përfundimtare” dhe toger i Adolf Eichmann, ishte ndër këshilltarët e sigurisë të Hafez al-Assad.

Vitet 1980 u ndoqën nga masakrat në burgun e shkretëtirës së Palmyra-s nga njëra anë dhe ajo në qytetin e Hama-s nga ana tjetër. Një episod që do të lërë të paktën 20 mijë të vdekur në më pak se një muaj dhe do të hedhë dhjetëra mijëra njerëz në burg, pa pasur asnjë gjykim.

Në qendrat e paraburgimit sirian, shfarosja bëhej në sasi industriale. Gjatë dy dekadave midis masakrës së Hamës dhe ardhjes në pushtet të Bashar al-Assad në vitin 2000, rreth 17 mijë të burgosur u zhdukën, të gëlltitur nga ushtrimi i një mizorie të paparë.

Kur Bashar pason babanë e tij Hafez, ai ruan të njëjtin sistem të paraburgimit me një shtrirje të agjencive të inteligjencës dhe degëve të tyre lokale në të gjithë territorin, secili me burgun e tij. Në Siri, tortura nuk synon nxjerrjen e informacionit, por asgjësimin.

Për më tepër, ishte ndalimi dhe torturimi i disa fëmijëve dhe adoleshentëve sirianë që kishin skalitur parullat kundër Assad-it në muret e Daraa-s në mars 2011 që shtyu qindra mijëra sirianë të protestonin duke filluar kryengritjen siriane. Kryengritje, e cila nëse nuk do kishte ndeshur bombat e aviacionit rus mbi të gjitha strukturat civile, spitale shkolla, banesa në qytetet rebele dhe dëbimet, torturat, vrasjet, burgosjet, djegiet në masë e në nivel industrial nga milicitë pro iranianë e kryesisht Hezbollah dhe rrjeti kapilar të inteligjencës ushtarake siriane Mukhabarat, nëse nuk do kishte ndeshur pasivitetin dhe indiferencën perëndimore edhe përballë asaj që do të duhej të kishin qenë linjat e kuqe, përdorimi i armëve kimike në popullsi, nuk do kishte zgjatur 14 vite të tilla.

Pa ditur se si mund të jetë e ardhmja, ky është sukses i një revolucioni të bërë nga vetë populli sirian. Lotët e tyre në rrugë nuk ishin vetëm triumfi i një populli mbi regjimin, por dhe lindja e një shprese për gjithë rajonin.

Pas një paranteze të tillë pyetjet që lindin janë të shumta: pse ndodhi pikërisht në këtë moment dhe çfarë ka pas një lëvizjeje të tillë? Cili është konteksti gjeopolitik, e cilat janë palët fituese dhe humbëse? A e dimë se çfarë do të ndodhë më pas?

Korniza gjeopolitike dhe pse tani?

Do të ishte tejet arrogante dhe e pavërtetë nëse do të thuhej se dihet skema, fuqitë dhe të thuhen parashikime për çka ka ndodhur, apo të jepen dhe analiza të sigurta për lëvizjet e shteteve të ndryshme.

“Zyrtarisht, asnjë shtet nuk e mbështet HTS-në. Në mënyrë të fshehtë, mendoj, por pa pasur prova, se kanë marrë mbështetje nga Turqia”, thotë për Albanian Post kryeredaktori i gazetës libaneze L’Orient-Le Jour.

Por të gjithë bëjnë vetëm hipoteza.

Me rëndësi është të sillen në mendje disa fakte.

Më 3 janar të 2020, me dron amerikan vritet në rrugën e aeroportit të Baghdad-it gjenerali Kassem Soleimani, lider i forcave speciale QUDS të Gardianëve të Revolucionit Iranian. Soleimani do të kthehet një nga figurat më karizmatike të Republikës Islamike dhe do të jetë lideri civil i padiskutueshëm i saj dhe arkitekti i ngritjes të lëvizjeve miliciane pro iraniane në fushatat e Republikës Islamike jashtë vendit.

Humbja e tij analizohet si e pazëvendësueshme lehtësisht nga të gjithë analistët perëndimorë dhe të rajonit. Do të pasohet nga vendosja në krye të Gardianëve e Ismail Ghaani-t, gjeneral pa karizmën dhe fuqinë e Soleimani-t, dhe aq më tepër i dyshuar për tradhti pas vrasjeve të shumta të shënjestruara të liderëve ushtarakë iranianë në territoret ku ndodheshin jashtë Republikës Islamike dhe atë të liderit të Hezbollah-ut Hassan Nasrallah pasuar nga të tjerë.

Të gjitha këto ngjarje ndoshta nuk do të kishin ndodhur kurrë pa u fokusuar te ajo që ndodhi me 7 tetor. Operacioni Yahya Sinouar në Izrael tërhoqi zvarrë të gjithë aleatët e tij. Por përmbytja e al-Aqsa çoi gjithashtu në një valë dhune, të paparë kurrë më parë jo vetëm në Gaza, por edhe në Bregun Perëndimor dhe madje edhe në Siri, në enklavën palestineze.

Dhunë që do të pasohej jo vetëm nga një fushatë bombardimesh dhe okupimi i një pjese të territorit libanez, por edhe nga sulmi i rrjetit Hezbollah përmes sabotimit të biperave në shtator të këtij viti, si dhe prerja e kokës e gjithë lidershipit të Hezbollah-ut, duke përgjysmuar përmes bombardimeve (sipas asaj që raportohet nga analistët në këtë fushë) armatimet e Partisë së Zotit në Liban.

E gjitha për të arritur në një armëpushim 60 ditor midis Libanit dhe Izraelit ne fund të nëntorit.

Ndërkohë në heshtje dhe larg vëmendjes së përgjithshme, me një forcë ushtarake prej 40 mijë vetash dhe kontrollin e Idlib-it dhe rajonit përreth, Hayat Tahrir al Sham dhe al-Jolani prej vitesh kishin deklaruar se qëllimi i tyre nuk ishte xhihadi ndërkombëtar, por përmbysja e regjimit të Bashar Al-Assad.

Pa dyshim HTS-së i është dashur të kontraktojë me aleatët e mbështetur nga Turqia në zonë, më i njohuri ndër të cilët është Ushtria e Lirë Siriane , të cilët sot janë aleatë.

E futur në listën e grupeve terroriste të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, HTS-ja është treguar jo pak bashkëpunuese me Pentagonin kundër xhihadistëve të Daesh-it apo Al-Qaeda’s.

Eliminime që duhen parë me përpjekjen e HTS-së për të marrë miratimin nga vendet perëndimore, si dhe me linjën e re politike të al-Jolanit, e cila tani promovon një vizion që synon të përfshijë komunitetet e ndryshme etnike dhe fetare të pranishme në Siri, të cilën u përpoq të vendoste në praktikë në Idlib.

Mohammed al-Jolani gjatë periudhës qeverisëse në Idlib e rrethina krijoi një administratë që menaxhon shëndetin, arsimin dhe ekonominë. Në një provincë ku bashkëjetojnë druzët, të krishterët dhe myslimanët që nuk i përmbahen sunizmit radikal, al-Jolani zbaton një version të moderuar të sheriatit, duke i lejuar gratë të grimohen, të shkojnë në kinema dhe të krijojnë shoqata.

Për më tepër, udhëheqësi i ri rihapi edhe kishat. Është nga ky këndvështrim që sot ai është duke u përpjekur të qetësojë besimet e ndryshme fetare, qoftë edhe alevitët, të cilëve u përket Bashar Al-Assad.

Interesante në renditjen e fakteve të ndodhura është se sulmi i grupeve dhe fraksioneve rebele siriane kundër regjimit të Bashar al Assadit ndodh, – menjëherë pas armëpushimit të arritur midis Libanit dhe Izraelit, në një kontekst kur forcat pro iraniane- sidomos Hezbollah- dhe vetë Irani janë tejet te dobësuara pas sulmeve izraelite në Liban e Siri, por edhe pas një përpjekje të qeverisë irakianë e cila mbetet miqësore me Iranin, por po kundërshton të gjitha ato hapa që mund të libanizojnë Irakun, – kur Rusia ka tërhequr shumë nga forcat e saj ajrore dhe njerëzore për nevojat në luftën me Ukrainën, kur Hamasi është tejet i dobësuar pas një lufte mizore nga forcat izraelite për më tej se një vit, – dhe kur pas një viti të gjitha përpjekjet turke për një bashkëqeverisje te fraksioneve në Siri u kundërshtuan në të gjitha format nga Bashar al Assadi.

Pra një sërë faktorësh, interesash konvergjente, që jo automatikisht vendosin një superfuqi të vetme pas suksesit të rebelëve sirianë kundër regjimit. Gjithsesi, ky sukses nuk mund të mos futet në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, që është ai i rrënimit dhe rënies së hegjemonisë së gjysmëhënës shiite në rajon.

Nga kjo panoramë nëse një hegjemoni nuk do të duhet të zëvendësohej me një tjetër zgjidhja e Gazës dhe krijimit të një shteti palestinez nuk mund të mbeten të përjashtuara për një kohë të gjatë. Përndryshe dhuna dhe pasiguria do pasojnë eventet.

Çështjet e hapura në këtë situatë

Me gjithë suksesin e padiskutueshëm të Grupit Hay’at Tahrir al Sham, me gjithë transformimin e tij taktik, ai mbetet një grup radikal xhihadist dhe pse jo më fundamentalist.

Udhëheqësi i saj Abu Mohammad al-Jolani deri më tani ka demonstruar inteligjencë të jashtëzakonshme ushtarake dhe politike, por synimet e lëvizjes së tij dhe të forcave të tij luftarake më të disiplinuara dhe më efektive, deri më sot janë përputhur me qëllimin negativ të revolucionit (fundosjen e regjimit) dhe jo me qëllimin e tij pozitiv (një Siri demokratike).

Por tani duhet të mendojmë se çfarë do të ndodhë më pas. Nëse Haj’at Tahrir al-Sham aktualisht po luan kartën e unitetit kombëtar dhe moderimit, ADN-ja politike e tij nuk shpërbëhet brenda një dite.

Nuk mund të përqafohet efektiviteti ushtarak i HTS-së kundër regjimit duke injoruar ideologjinë e tij. Ashtu sikurse do të ishte gabim të fiksohemi në ideologjinë e tij dhe të anashkalohet roli kyç në rezistencën e një regjimi që po vret sirianë pa pushim për vite me radhë.

“Jolani për momentin po tregon se është një kafshë e frikshme politike”, thotë për AP-në Anthony Samran. “Ai po bën gjithçka për t’u dhënë shenja besimi perëndimorëve, sirianëve, pakicave, etj. Unë mendoj se nuk duhet të gabojmë: HTS është një organizatë xhihadiste, objektivi i së cilës është të ‘xhihadizojë’ Sirinë në afat të gjatë, për të pushtuar mendjet dhe për të demonstruar pragmatizëm deri atëherë. Së pari duhet të shohim nëse ai do të jetë në gjendje të qeverisë të gjithë Sirinë, gjë që do të duhet të ndodhë me alavitët në perëndim dhe me kurdët në lindje dhe veri. Regjimi që ai vendosi në Idlib ishte autoritar pa qenë diktatorial, islamist pa qenë fondamentalist: a mund të bëjë ai të njëjtën gjë në shkallë siriane?”, vazhdon ai.

Asnjë nga ne nuk mund t’i përgjigjet tani. Që ky post revolucion të funksionojë pa dyshim që ka nevojë për një koalicion të fortë social dhe politik që mobilizon të gjithë shoqërinë. Do të ndodhë? Nuk e dimë! Nuk është hera e parë që revolucionet në rajon marrin një rrugë të mbrapshtë gjatë ecurisë së tyre dhe rrëmbehen nga ekstremistët.

Çështjet në lojë janë të shumta. Si mund të shmangim një gjakderdhje midis forcave rebele dhe asaj që mbetet nga ushtria siriane, tashmë e grumbulluar në strehën alavite, zona ku tensionet sektare ka të ngjarë të jenë më të fortat?

Si mund të shmangim një luftë civile midis kurdëve dhe kryengritësve, kur të parët administrojnë pjesë të tëra të lindjes dhe veriut të vendit?

Çfarë do të bëjë Turqia në lidhje me këtë, kur tashmë forcat rebele të mbështetura prej saj kanë marrë të paktën katër qytete më parë të administruara nga forcat kurde.

Për Turqinë pa dyshim mbete jetike për sigurinë e saj nevoja e krijimit të një zone tampon ne kufi me atë të administruar nga YPG-ja, të cilën Turqia e sheh zgjatje të PKK-së, por e cila deri më sot ka mbështetjen e SHBA-ve në luftën kundër ISIS.

Pa hequr rëndësinë e kthimit të refugjatëve dhe të pjesëmarrjes aktive në rindërtimin e Sirisë.

Çfarë do të bëjnë trupat ruse?

Pozicioni strategjik i Sirisë dhe realizimi i ëndrrës së lashtë të carëve për të pasur një dalje në Mesdhe përjashton tërheqjen e rusëve për momentin. Në Tartous, Rusia ka bazën e vetme detare që zotëron në Mesdhe dhe në Hmeimim, pranë Laodicea-s, një bazë ajrore ku zbarkojnë dhe ngrihen luftëtarët me raketa hipersonike të tipit Kinjal dhe bombarduesit strategjikë me rreze të gjatë, Tupolev Tu-22M.

Dhe Hezbollah, i cili kishte bërë inxhinieri demografike për të marrë lagje të tëra në Siri?

Po Izraeli? Pa dyshim është i fituari nga dobësimi i rrugëve furnizuese të Hezbollah-ut nga Irani përmes Sirisë. Po të dielën, Izraeli kreu goditje ajrore të shënjestruara në depozitat me armë kimike të ushtrisë së Assad-it, nga frika se mund të binin në dorën e rebelëve dhe pushtoi me shumë shpejtësi një pjesë të “zonës tampon” që ndan kufirin e tij nga ai i Sirisë në Lartësitë Golan. Dërgoi tanke dhe trupa në veçanti për të pushtuar anën siriane të malit Hermon, i cili me 2 mijë e 814 metra është një nga më të lartat në Lindjen e Mesme

Lartësitë e Golanit janë një territor që Izraeli e pushtoi ushtarakisht në vitin 1967 gjatë Luftës Gjashtë Ditore, pasi e hoqi atë nga kontrolli i Sirisë: për komunitetin ndërkombëtar, lartësitë janë territor sirian.

Ato janë një pllajë e madhe prej rreth 1mijë e 800 kilometra katrorë, e cila dominon si Izraelin ashtu edhe Sirinë nga lart, dhe që ndodhet rreth 60 kilometra larg Damaskut: për këtë arsye ata kanë pasur gjithmonë një vlerë strategjike.

Për sirianët, assadistët dhe të tjerët, Lartësitë e Golanit kanë gjithashtu një rëndësi nacionaliste. Abu Mohammad al Jolani, mori këtë emër lufte duke iu referuar Golanit, që është vendi i origjinës së familjes së tij.

Do ketë Siria ende përçarje, dhunë dhe paqëndrueshmëri?

Komuniteti ndërkombëtar çfarë roli do të mbajnë për të siguruar që tranzicioni të jetë paqësor dhe që Siria më në fund të mund të shërojë plagët e saj.

E ardhmja nuk dihet, por asgjë nuk mund të jetë më e keqe se ajo që ishte nën barbarinë e Assad-it

Gjithçka është aq e brishtë dhe dominoja ndoshta ende nuk ka përfunduar. Rënia e Bashar al-Assad do të ketë pasoja në Liban, Irak dhe ndoshta edhe Iran.

Boshti iranian po shembet në të gjithë rajonin dhe ky ndryshim rrezikon të jetë jashtëzakonisht i dhunshëm.

Izraeli aktualisht po lëviz me kujdes: nga njëra anë sheh një avantazh në rënien e Bashar al Assad-it, sepse Assad kishte lejuar Iranin dhe Hezbollahun të përdorin Sirinë për të kërcënuar Izraelin.

Nga ana tjetër, nuk është ende e qartë se çfarë qëndrimi do të kenë grupet e armatosura që pushtuan Damaskun dhe as qeveria e re e mundshme që do të drejtojë vendin.

Turqia e Erdoganit është fituesja e madhe e kësaj sekuence dhe e paraqet veten si fuqia e vetme e aftë të sfidojë hegjemoninë izraelite në Lindjen e Mesme.

Dhe sido që të shkojnë situatat, asgjë nuk mund të stabilizohet dhe qetësohet pa krijimin e një shteti palestinez. Tani e tutje, për Izraelin bëhet gjithnjë e më e vështirë të fshihet pas kërcënimit iranian.

Por për sot le të festojmë sakrificën e mijëra sirianëve, libanezëve dhe palestinezëve në gjithë këto vite.

Nesër do të jetë një ditë e re.