Ryan Reynolds ka thyer heshtjen pas padisë së ngritur nga bashkëshortja e tij, Blake Lively kundër Justin Baldoni, protagonistit të “It Ends With Us”.
Aktori postoi në rrjetet sociale për të ndërgjegjësuar për fushatën e çiftit me shoqatën e bamirësisë për fëmijët Sick Kids Hospital. Reynolds u vesh si personazhi i tij ikonik, Deadpool dhe tha se fushata u filmua “gjatë kohës që atij nuk i bëhej ta vishte kostumin”.
“Është thuajse vigjilja e Krishtlindjes. Dita e fundit për të dhuruar te Sick Kids. Blake Lively dhe unë po shtojmë çdo dhurim deri në 500 mijë dollarë. Kjo organizatë është një vend i shenjtë për shumë prindër e fëmijë që po kalojnë të paimagjinueshme. Faleminderit Bryan Rowland për regjinë e kësaj copëze të mrekullueshme gjatë një periudhë kur s’më bëhej ta vishja kostumin”.
Fraza e fundit duket se i referohet pikërisht çështjes që po ndjek gruaja e tij. Mediat e huaja kanë raportuar se Lively dhe Baldoni kanë pasur fërkime gjatë bashkëpunimit të tyre në përshtatjen filmike të librit të Colleen Hoover.
Aktorja e akuzon Baldoni, i cili ishte edhe regjisor i filmit, për ngacmim seksual dhe orkestrim të shkatërrimit të imazhit.
Ajo ka deklaruar se ai ka sajuar histori të shëmtuara në përpjekje për ta “groposur”. New York Times ka publikuar mesazhe dhe email-e të fushatës së aktorit të cilat Lively është shprehur se ka arritur t’i marrë nga një dëshmitare.