Nga Erjona Dervishi
Buzëqeshje perfekte, flokë të dendur dhe sy që shkëlqejnë. Çdokush do të dashurohej me Luigi Mangione po të shikonte foton e tij në rrjete sociale.
Por… ai është një vrasës.
Askush nuk dinte asgjë për 26-vjeçarin, derisa fotot e tij bënë xhiron e botës pas vrasjes së CEO-s së United Healthcare, Brian Thomson.
I fshehur pas një kapuçi, ai e vrau biznesmenin me një qetësi të frikshme dhe më pas u largua duke e lënë të plasur në njërën prej rrugicave të Manhattanit.
Ndërsa kërkohej në ShBA ai u arrestua falë një informatori në një McDonald’s në Pensilvani, i cili e kishte pikasur pasi ai kishte ulur maskën për të ngrënë ushqimin.
Ngjarja ka hedhur dritë edhe mbi jetën private te Mangione, ku mësohet se është pasardhësi i privilegjuar i një familjeje të pasur në zonën e Baltimores, e cila është e njohur për bizneset, duke përfshirë klubet e vendit, shtëpitë e të moshuarve dhe një stacion radioje.
Ndërsa ende nuk dihet arsyeja e vrasjes, dyshohet se 26-vjeçari ishte i nxitur nga zemërimi kundër industrisë së sigurimeve shëndetësore, sipas një raporti të inteligjencës NYPD. Kjo mund të lidhet me problemet e tij shëndetësore me shpinën, të cilat e detyruan të linte sërfin.
Sa lehtë bëhesh vrasës ne ditët e sotme po ta mendosh dhe brenda 24 orëve bëhesh i famshëm. Pavarësisht veprës penale sërish adhurohesh, sepse ke një fytyrë të bukur.
Çdo ditë e më shumë po shkohet drejt sipërfaqësores, sidomos të rinjtë, të ndihmuar edhe nga jeta e rreme brenda ekranit të vogël të celularit që i trazon dhe bën lëmsh mendimet.
Është më e thjeshtë të jesh sipërfaqësor ne fund të fundit.
Ndërsa akuzohet për një prej veprave me të rënda penale, admirimi i tij në rrjete sociale është i frikshëm.
Pseudonimi i tij tashmë është “vrasësi seksi”.
Vajza dhe djem janë fiksuar me pamjen e tij fizike, duke harruar se është i dyshuari kryesor për vrasjen e një njeriu.
Dhjetëra faqe fansash të reja janë shtuar në rrjete sociale të cilët kërkojnë lirimin e tij me mbishkrimet “Free Luigi” apo “Luigi Mangione Fans”.
Shumë prej tyre gjithashtu janë shprehur të gatshëm të mbulojnë shpenzimet gjyqësore të tij apo të djegin Mc Donalds-in ku ai u arrestua. Deri ku shkon çmenduria njerëzore? Historia ka parë e dëgjuar shumë, ndoshta fenomeni i kthimit të anormales në normale do të avancojë edhe më tutje, aq kohe sa të ketë frymë njerëzore.
Sigurisht, ky nuk është një fenomen i panjohur.
Scott Peterson, i dënuar për vrasjen e gruas dhe fëmijës së tij të palindur apo vrasësi serial Ted Bundy krijoi mbështetës në të gjithë botën të cilët u fokusuan më shumë në tiparet e bukura të fytyrës sesa në thelbin e ngjarjes, vrasjen. Bundy merrte letra dashurie nga gra teksa kryente dënimin në burg, ndërsa shumë prej tyre merrnin pjesë në seancat gjyqësore.
Si mund të harrojmë edhe pilotin grek, Babis Anagnostopoulos, i cili vrau bashkëshorten e nënën e vajzës së tij dhe me pas krijoi të gjithë skenarin për të fshehur ngjarjen.
Edhe vrasësi serial, Jeffrey Dahmer thuhet se ka pasur gra të fiksuara pas tij të cilat i dërgonin letra, para dhe dhurata të tjera gjatë kohës së tij në burg.
Apo Jeremy Ray Meeks, i dënuari sy blu, i cili is as lirimit nga burgu u bë model.
Ky perceptim psikologjik, në dukje absurd ka një emërtim që mund ta keni dëgjuar ose e prekni për herë te parë quhet hibristofilia.
Hibristofilia, e quajtur ndryshe edhe si sindroma “Bonnie dhe Clyde” është një artraksion seksual ose fizik në kontrast me normalen. Ndërsa shtoj se edhe perceptimi normal tashmë është vënë ne pikëpyetje se çfarë është ekzaktësisht dhe mbetet i diskutueshëm.
Nuk ka ende një arsye konkrete që lidh fiksimin apo dashurinë me një person që ka kryer një krim, nëse kjo është një formë psikotie apo interes i caktuar nga personi tjetër.
Profesoresha e psikologjisë mjeko-ligjore në Universitetin DeSales , Katherine Ramsland thotë se ka gra apo vajza që kanë qenë në një lidhje apo edhe janë martuar me vrasës, qofshin këta edhe serialë.
Ajo ka renditur disa arsye nisur nga dëshmitë e këtyre grave. Mes tyre janë se ato besojnë se mund të ndryshojnë një vrasës duke marrë rolin e heroinës; të tjerë shikonin fëmijën e pafajshëm brenda vrasësit, por ka dhe të tjerë që shpresonin të viheshin në qendër të vëmendjes së mediave.
Nga ana tjetër, psikologu Leon F. Seltzer përmend instinktet primitive të bazuara në psikologjinë evolucionare . Në teorinë e fundit, ai përmend se dominimi është tërheqës pasi burra të tillë mund të mbrojnë gratë dhe pasardhësit e tyre.
Pra gratë ndihen më të mbrojtura nga vrasës të cilët e kanë treguar ‘forcën’ e tyre, duke marrë parasysh edhe rrezikun se një ditë mund të kthehen në viktima.