Janari do të jetë një muaj plot ndeshje për Barcelonën dhe klubet spanjolle që garojnë në garat evropiane. Ndryshimi i formatit të miratuar nga UEFA për Champions League dhe Europa League detyron skuadrat të luajnë edhe dy ndeshje në janar, me të cilat Barça mund të përballet me tetë rivalë të ndryshëm në një periudhë prej 25 ditësh, nga e shtuna 4 janar deri të mërkurën, 29 janar.
Gjithçka do të nisë me Kupën e Mbretit kundër Barbastros. Nëse e kapërcejnë skuadrën nga Hueska, Barça do të duhet të luajë ndeshjen e radhës në Kupë të mërkurën më 15 janar, tri ditë para rikthimit në La Liga kundër Getafes. Pas përballjes me Barbastron (4 janar), Barça duhet të udhëtojë drejt Arabisë për Superkupën e Spanjës, ku i pret Bilbao.
Gjysmëfinalja ndaj baskëve do të jenë të mërkurën, më 8 janar dhe nëse mposht “luanët”, Barça do të luajë finalen kundër Realit ose Majorkës. Ajo është planifikuar të dielën, më 12 janar, në Xhedah.
Javën në vijim, pas duelit ndaj Getafes, katalanasit do të duhet të udhëtojnë drejt Lisbonës për ndeshjen e 7-të të Champions League, kundër Benfikës, ku i mjafton një barazim për të siguruar kualifikimin direkt (21 janar). Katalanasit do të kenë pushim deri të dielën më 26 janar, kur do të presin Valencian në “Montjuiç”. Muaji mbyllet me ndeshjen e fundit të Champions League, në shtëpi kundër Atalantës.