Është një histori që po i bën njerëzit të flasin (shumë) dhe premton të jetë një temë gjatë ditëve të ardhshme.

Raquel Candia, bashkëshortja e ish-futbollistit argjentinas Fernando Cáceres, vdiq në moshën 45-vjeçare, pasi u rrëzua nga kati i shtatë i pallatit ku banonte, në një kohë kur në shtëpi ishin vetëm ajo dhe bashkëshorti.

Sipas shtypit argjentinas, rasti është duke u hetuar nga autoritetet e Buenos Aires duke marrë parasysh tre hipoteza: femicid, vetëvrasje, ose aksident.

Një nga aspektet që e bën rastin të veçantë është se Cáceres, aktualisht 55 vjeç, ndodhet në një karrige me rrota që nga viti 2009, vit në të cilin u qëllua në fytyrë gjatë një tentative grabitjeje.

Në deklaratat për shtypin në atë vend, familja e Raquel Candia drejton, në një farë mase, gishtin te ish-lojtari, i cili gjatë gjithë karrierës së tij luajti për klube si Valencia, Celta Vigo apo Boca Juniors.

“Ishte një marrëdhënie shumë agresive nga ana e tij. Ka dëshmitarë dhe fqinjë që na thanë se pak çaste më parë kishte pasur dhunë”,- siguroi njëri nga vëllezërit e gruas, cituar nga Marca. “Ata iu afruan ballkonit dhe e shtynë. Cáceres e keqtrajtonte gjithmonë, ai është një person i keq,” shtoi ai.

Miguel, një tjetër nga vëllezërit e Raquel-it, ka të njëjtën bindje: “Dikush duhet fajësuar. Motra ime nuk e vrau veten, atë e vranë”, tha ai.