Gjykata Speciale ka arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), tha të enjten Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së).
Klinaku tha në Facebook se janë arrestuar ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”, shkroi ai në Facebook.
Dhomat e Specializuara në Hagë, që veprojnë me ligje të Kosovës, nuk kanë komentuar ende rreth arrestimeve të raportuara.
Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga viti 2009 deri në vitin 2015, kur kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar për mandatin e tij të dytë.
Nuk është e qartë se për çfarë akuzash mund të jetë arrestuar Smakaj nga Gjykata Speciale, e cila është ngritur për t’i gjykuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Ndërkohë, Isni Kilaj ishte arrestuar për herë të parë në nëntor të vitit 2023 nën dyshimet për veprat penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë dhe u lirua me kusht në maj të këtij vitit pasi pagoi një dorëzani prej 30.000 eurosh. Në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ndryshoi aktakuzën ndaj Kilajt, por nuk dha hollësi për ndryshimet e bëra.
SPO-ja kishte thënë asokohe se ndër arsyet e lirimit të Kilajt me kusht ishte edhe vendimi i prokurorëve për të paraqitur aktakuzë të ndryshuar ndaj tij.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për krime lufte, dhe dy të tjera për pengim në administrim të drejtësisë.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë.
Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.