Një sasi lënde eksplozivi ka shpërthyer gjatë orëve të para të mëngjesit në qytetin e Vlorës. Sipas informacioneve paraprake ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (8 dhjetor). Fatmirësisht nuk ka pasur njerëz as në lokal dhe as pranë tij dhe nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale, të konsiderueshme.
Lokali që ndodhet në zonën e në Lungomares në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, nuk kishte funksionuar prej kohësh por kishte vetëm pak ditë që ishte rihapur. Lokali ‘The Boss’ ka qenë në pronësi të Resmie Birçaj, nënës së Bledar Birçaj i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen ‘Hajro Çakërri’. Kamerat kanë filmuar një person me maskë që ka vendosur sasinë e tritolit në ambientet e jashtme të lokalit. Pasi ka ndezur fitilin autori është larguar mes pallateve në zonën e Ujit të Ftohtë. Policia ka nisur shoqërimet pas ngjarjes.
Njoftimi i policië:
Rreth orës 06:00, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në një lokal, në pronësi të shtetases R. B., ka shpërthyer, dyshohet lënde plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.