Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump tha se Ukraina duhet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund pushtimit rus.
“Ai duhet të jetë i përgatitur për të bërë një marrëveshje, kjo është e gjitha”, citohet të ketë thënë Trump për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa fliste të hënën në Mar-a-Lago, Florida.
“Duhet të ketë një marrëveshje. Shumë njerëz po vriten”, ka shtuar ai.
Trump tha se do të duhej një shekull për të rindërtuar qytetet ukrainase të rrafshuara nga pushtimi rus dhe hodhi mënjanë shpresat e Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar. Ai përsëri kritikoi përdorimin e armëve amerikane për të goditur objektivat më thellë në territorin rus – një taktikë e bërë pas miratimit nga Shtëpia e Bardhë aktuale, duke rritur gjasat që ai të pengojë “zgjerimin e këtij vendimi” nëse luftimet vazhdojnë.
“Është mirë të thuash se ata duan kthimin e tokës së tyre, por qytetet janë shkatërruar në masë të madhe”, tha Trump të hënën.
Dhe siç vlerësojnë mediat, komentet janë sinjali i fundit se zgjedhja e Trump do të kufizojë ndjeshëm, nëse jo do të përfundojë plotësisht, ndihmën e SHBA-së për Ukrainën.
Trump tha disa herë të hënën se ai beson se lideri rus Vladimir Putin nuk do të kishte filluar pushtimin nëse ai do të ishte ende në detyrë dhe kritikoi administratën e presidentit Joe Biden për një vendim për të lejuar Ukrainën të përdorë ATACMS, për të sulmuar më thellë në territorin rus.
Trump tha se lufta në Ukrainë është “një e keqe” dhe tha se një numër “astronomik” ushtarësh po vriten nga të dyja palët. “Po të isha president, ajo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë”, tha ai.
Në anën tjetër, administrata filloi të diskutojë lejimin e përdorimit të ATACMS para zgjedhjeve dhe masa ishte në përgjigje të vendosjes së trupave të Koresë së Veriut në fushën e betejës.