Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur shpresë tek Sali Berisha, për të hequr njollën e non grata-s amerikane. Berisha është shprehur mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, se shpreson shumë se me marrjen e detyrës nga administrata e re amerikane, në Janar 2025, presidenti i ri Donald Trump do të shqyrtojë shpalljen e tij non-grata.

“Shpresoj plotësisht që administrata e re amerikane do të shqyrtojë këtë çështje. Zhvillimet e furishme të muajit të fundit, ku nuk ka sot një parti të qendrës së djathtë në botë që nuk ka votuar kundër arrestimit të Sali Berishës, nuk ekziston.
Sali Berisha ecën drejt fitores me mbështetjen më të madhe ndërkombëtare të të gjitha kohërave. Unë kam kontakte, por besoj se do të shqyrtohet akti i rëndë që u bë”, tha Berisha.

Sali Berisha së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij Shkëlzen dhe Argita, janë zyrtarisht në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpalljen non-grata të familjes Berisha e njoftoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në vitin 2021. Në një raport më të detajuar, Departamenti Amerikan i Shtetit përcaktoi si motiv të shpalljes non grata të Sali Berishës dhe familjes së tij përfshirjen në korrupsion dhe përdorimin e pushtetit për të pasuruar familjen dhe aleatët e tij.