Ukraina ka bërë sërish thirrje për anëtarësim në NATO, duke thënë se vetëm duke iu bashkuar plotësisht aleancës mund të garantohet siguria e saj në të ardhmen, teksa e lufton pushtimin rus, të nisur gati tre vjet më parë.

“Ne jemi të bindur që garantuesi i vetëm real për sigurinë e Ukrainës, si dhe faktori parandalues për agresion të mëtejmë rus kundër Ukrainës dhe vendeve tjera, është anëtarësimi i plotë i Ukrainës në NATO”, ka thënë Ministria e Jashtme e Ukrainës përmes një deklarate të lëshuar para takimit të 3 dhjetorit mes ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel.

Duke reaguar ndaj kësaj deklarate, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë të martën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO, do të ishte “i papranueshëm” dhe do të përbënte “kërcënim” për Rusinë.

Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se pranimi i Ukrainës në NATO, do t’i jepte fund asaj që e ka quajtur “fazë të nxehtë të luftës”, të nxitur nga Rusia, prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.