E përditshmja “AS”, e thotë shumë qartë.
Myrto Uzuni qenka I lindur për t’u bërë një legjendë te Granada në Spanjë, ndërsa legjenda e tij rritet sa më shumë kalojnë javët.
Me 3 golat e fundit të realizuar në suksesin 4-1 të ekipit të tij ndaj Kartagjenës në Ligën e Dytë spanjolle, sulmuesi kuqezi forcoi pozitat si shënuesi më i mirë I klubit në shekullin e 21-të.
Më herët, ai kishte thyer rekordin e Jusef El Arabit nga Maroku, si lojtari i huaj me më shumë rrjeta për bardhekuqtë.
Aktualisht, Uzuni ka 49 dhe El Arabi kishte mbërritur në 44.
Interesante një video e publikuar më pas, kur sulmuesi shqiptar mori topin e ndeshjes, Granada-Kartagjena, pasi shënoi tri herë, ndërsa sfera u firmos edhe nga trajneri i tij, Fran Eskriva.
Uzuni synon të jetë shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Spanjës, duke pasur 14 gola, por duke mbetur në vend të dytë pas Luis Suarezit, që gjithashtu shënoi tri herë javën e fundit.
Sulmuesi kuqezi ka mesataren e shkëlqyer 0.82 gola për ndeshje, dhe është lojtari që merr përsipër më shumë gjuajtje te Granada në kampionat, plot 41.