Shkrimtar, përkthyes dhe leksikograf. Krijimtaria e Vedat Kokonës nis që në moshën 16-vjeçare në revistat dhe gazetat e viteve ’20-’30 dhe vijon me novelën “Lutja e fundit”, botuar në gazetën “Vatra”, më 1933. Biblioteka Kombëtare çeli një ekspozitë për të kujtuar 110-vjetorin e personalitetit të jashtëzakonshëm të gjuhës dhe të kulturës shqipe duke vënë në dukje ëndrrën e marrë peng.

“Është një figurë poliedrike. Unë kam filluar punë fare i ri me përkthimet dhe isha i pari që vija nga një familje me biografi të mirë kur të gjithë të tjerët ishin me biografi të keqe, dhe e dija që ishin të gjithë njerëz që dikur kishin ambicie e ëndrra të tjera por pastaj ndryshimet që ndodhën, i bënë të merreshin me përkthime. Pothuajse të gjitha botimet e para janë dëshira e tij për tu’ bërë shkrimtar. Përkthimet e para vijnë relativisht vonë. I pari është “Njerëzit e varfër” nga Viktor Hygoi, themelues po ashtu i një reviste letrare me Sterjo Spasen, Mitrush Kutelin e Nexhat Hakiun”, tha Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Kur ëndrra si autor ju vra, ai u bë zëri i autorëve të huaj. Kokona bën të flasin shqip emra të mëdhenj të mendimit e letërsisë frënge e angleze duke i ofruar Shqipërisë së kohës kryevepra në gjuhën e saj.

“Kishim një katedër përkthimi në universitet dhe atje për vite të tëra njoha Vedatin e vërtetë. Dije pafund dhe qytetatri pafund. Unë aty bëra një universitet të dytë për përkthimin. Vedati mbeti një figurë poliedrike. Ka prekur të tëra fushat e letrave dhe të kulturë shqiptare” , tha Edmond Tupja.

Familjarë, miq, shkrimtarë, përkthyes, studiues, pedagogë, si dhe dashamirës të librit e të kulturës morën pjesë në ekspozitën që u çel për Kokonën, ku peshë të veçantë zënë fjalorët frëngjisht-shqip, që cilësohen “gurë themeli” të mësimit të gjuhës frënge.