Deputeti Lulzim Basha, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se kryeministri Edi Rama ka ndaluar procesin e Reformës Zgjedhore dhe nuk ka miratuar asnjë nga rekomandimet e OSBE-OHDIR. Sipas tij, pazari mes Ramës dhe Berishës ka sjell mbylljen e listave të deputetëve, duke privuar qytetarët shqiptarë nga e drejta për të zgjedhur ata që duan në Parlament.
Basha shtoi se, megjithë klimën e vështirë zgjedhore dhe ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje siç u pa në rastin e Çyrbes në Durrës dhe bandave në Elbasan, shumica e shqiptarëve janë të etur për ndryshim. Lidhur me situatën brenda Partisë Demokratike, Basha e pranoi se partia kaloi periudhën më të vështirë të ndarjes, duke përsëritur se vendimi për përjashtimin e Berishës ishte për të ruajtur identitetin euroatlantik të PD-së.
Ai theksoi se ky ishte një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe të djathtës, duke e konsideruar të drejtë refuzimin e kursit përplasjeje me partnerët ndërkombëtarë si SHBA-të dhe Britaninë e Madhe.
Pjesë nga intervista e Lulzim Bashës për Zërin e Amerikës:
Lulzim Basha: Në rafshin e standarteve tashmë është e qartë që në bashkëpunim me një pjesë të asaj opozite që për interesat e veta bashkëpunon me Edi Ramën kundër interesave të shqiptarëve, Edi Rama ka ndalur procesin e Reformës Zgjedhore dhe asnjë nga rekomandimet e OSBE-OHDIR nuk është miratuar. Për më shumë kanë mbyllur listat së bashku, një tjetër vendim i përbashkët, duke i derpivuar qytetarët shqiptarë nga e drejta për të zgjedhur ata dhe jo kryetarët e partive deputetet dhe deputetët që duan në parlamentin e Shqipërisë. Kështu që nga ana e standarteve, jo vetëm ne por edhe partnerët ndërkombëtar, kanë ngritur shqetësime të mëdha.
Megjithatë besoj se edhe këto zgjedhje edhe pse do të ndodhen në një klimë pa shumë ndryshime nga ajo e 2021. Ndërkoh që janë publikuar përgjimet se si krimi në Durrës me rastin Çyrbja, në Elbasan me bandat e Elbasanit por dhe në rastet e tjera, e ndihmoi Edi Ramën duke i dhënë shumë mandate. Madje është e qartë që dhe vet mandati i Edi Ramës është prodhim i bashkëpunimit me të ashtëquajturën bandat e Durrësit, pra me krimin e organizuar në Durrës, prap se prapë shumica e shqiptarëve janë të paduruar për një ndryshim. Pra duan ta mbyllin këtë kapitull.
Ne bësojmë se edhe në kushte të vështira, siç e ka treguar edhe historia jonë, por dhe historia e Kombeve të tjera, paraqitja e një alternative të besueshme e një programi i cili adreson shqetësimet e qytetarëve për të cilat nuk flitet. Dhe me një ekip të besueshëm njerëzish që kanë dhënë prova se dinë të qëndrojnë për interesat e qytetarëve, edhe në qoftë se kjo dëmton interesat e tyre personale, prap se prap ndryshimi është i mundur. Dhe këtë do të përpiqemi të bëjmë ne me programin tonë me listën tonë, me aleancat tona.
Pyetje: E keni gati listën, e keni gati ekipin zoti Basha?
Lulzim Basha: Është në proces, besoj që kemi bërë progres të mirë në këto dy muajt e fundit dhe besoj që së shpejti do të jemi në gjendje të publikojmë një pjesë të mirë të emrave të kandidatëve tanë për deputetë.
Pyetje: Zoti Basha, megjithatë në vitet që ju e drejtuat Partinë Demokratike, kjo forcë politike pësoi përçarjen e saj më të madhe si kurrë më parë. Çfarë përgjegjësie keni ju për këtë?
Lulzim Basha: Përgjegjësia ime ishte të merja një vendim të vështirë, nëse do të pranoja që PD të futej në një kurs përplasjeje jo thjesht me aleatin strategjik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe më vonë Britaninë e Madhe. Por do të futej në një kurs përplasjeje në atë që e djathta e Shqipërisë, e në veçanti Partia Demokratike e ka në ADN-në e vet që është Euroatlantizmi. Pra, që është bashkëpunimi me këta faktorë të cilëve çdo shqiptar i njeh meritën, e përmbysjes së komunizmit, e ndihmës për Shqipërinë demokratike, e avancimit të kauzës tonë kombëtare si përmes anëtarësimit në NATO, ashtu edhe përmes çlirimit, pavarësimit dhe mbrojtjes të itegritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës dhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e kudo tjetër. Pra, ka qenë një vendim i vështirë, për shkak se shumë prej pasojave që më vonë pasuan ishin qartësisht të paralajmëruara. Por nga ana tjetër ishte vendim i duhur, është vendim i cili i takon një lidershipi me përgjegjësi ku duhet të vendos një rrugë të vështirë, por ku shërbehet interesi i madh, interesi i të djathtës, interesi i Shqipërisë, apo një vendimi i cili do të vinte interesin personal mbi interesat e grupit.
Pyetje: Pra do ta merrnit përsëri nëse do t’i ktheheshit?
Lulzim Basha: Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Në mënyrën më kategorike vendimi u mor pas refuzimit të zotit Berisha për të shmangur një kurs përplasjeje midis Partisë Demokratike dhe për të ruajtur identitetin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve si bastion i qendrës së djathtë në Shqipëri.