Në një ceremoni të veçantë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Arben Kingji u gradua si gjenerallejtënant, pas dekretit të miratuar nga presidenti i Republikës. Kjo gradë, gjenerallejtënant Kingjit iu dorëzua nga ministri i Mbrojtjes z.Piro Vengu.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Vengu vlerësoi gjenerallejtënant Kingjin, si një gjeneral që është ngritur në karrierë duke kaluar të gjitha etapat e nderit dhe duke shërbyer me sukses në shumë detyra të ngarkuara. Sipas ministrit Vengu, ky është edhe një moment i veçantë pasi ylli i tretë në Forcat e Armatosura është rikthyer pas gati një dekade e gjysmë. Ministri i Mbrojtjes tha se gjenerallejtënant Kingji e ka merituar këtë yll të tretë.

“Dikush mund ta ketë ndjekur karrierën e tij që në kohën e Afganistanit, dikush që në kohën që ka drejtuar regjimentin në Poshnje, që kur ka drejtuar Forcën Tokësore, apo kur ka mbajtur pozicione të tjera përfaqësimi në funksion të FA. Unë në këto pak muaj kam njohur një person që, së pari ka forcën e karakterit si udhërrëfyes në mbrojtje të interesave kombëtare, në mbrojtje të të gjithë interesave të ushtarakëve, të familjarëve të tyre dhe të përmirësimit të gjithanshëm dhe të modernizimit të FA.” – theksoi, gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes.

Teksa i uroi suksese në vijim të ushtrimit të detyrave, ministri Vengu u shpreh se, gradimi i gjenerallejtënant Kingjit përbën edhe motivim për të gjithë ushtarakët e tjerë të karrierës, të cilët mund të arrijnë përmes dedikimit, disiplinës dhe vetëmohimit në majën e karriererës ushtarake.

“Dikush mund të thotë që sot kemi shumë gjeneralë dhe shumë pak ushtarakë. Unë nuk e besoj këtë. Unë besoj që gjeneralët dhe oficerët në përgjithësi janë kapacitet kombëtar dhe duhet t’u ofrojmë mundësinë, që qofshin aktivë apo rezervistë, të kenë një kontribut të vazhdueshëm në funksione shtetërore.”-u shpreh Ministri Vengu, duke shtuar se buxheti i vitit 2025 është më domethënësi i këtyre dy dekadave të fundit, që siguron që karriera ushtarake të jetë forcë tërheqëse për shumë të rinj.

Nga ana e tij, gjenerallejtënant Arben Kingji shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga ministri i Mbrojtjes, kryeministri e presidenti, por pati edhe një falenderim për të gjithë efektivët e FA.
“Falenderim i veçantë shkon për të gjithë ushtarët, nënoficerët dhe oficerët, me të cilët kam qenë bashkë në realizmin e një sërë detyrave, duke pasur parasysh se pas viteve ’90, FA kanë kaluar një sërë sfidash, etapash, procesesh, siç janë modernizimi dhe reformimi, të cilat pa ndihmën e tyre nuk do të realizohej kjo që jemi sot, institucioni më dinjitoz dhe më korrekt, në të cilin ne shërbejmë.” – u shpreh shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, i cili vuri theksin edhe te veNdimet e fundit të qeverisë sa i përket trajtimit më dinjitoz të të gjithë personelit të FA.