Parashqevi Simaku, ikona e muzikës shqiptare, përshëndeti nga SHBA konkurrentët festivalit të 63 të këngës, mbrëmjen e së shtunës.
Teksa shfaqet krah Elton Ilirjanit, në një video mesazh ajo kujton këngën e fundit që këndoi në këtë skenë, ndërsa i uroi suksese të gjithë artistëve.
“Do të dëshiroja të isha aty me ju. Herën e fundit në skenën e këtij festivali kam interpretuar një këngë të mrekullueshme me titull ‘Dëgjoma këngën’. Për të gjithë ju konkurrentet e ’63 të festivalit”, – shprehet ajo.
Nata e tretë e festivalit të 63-të të këngës ishte një mbrëmje nostalgjike, dedikuar këngëve dhe autorëve që kanë lënë gjurmë në festivale ndër vite.
Parashqevi Simaku që prej një jave është rikthyer në kryefjalë të mediave në vendin tonë, ndërsa shumë debate ka ngjallur rikthimi i saj, shumë vite pasi ajo ishte larguar pa gjurmë.
Lajmin për rikthimin e Parashqevisë në festival e ka publikuar në faqen e tij zyrtare të sipërmarrësit Elton Ilirjani, i cili prej disa ditësh ka marrë përsipër të mbështesë rikthimin e bujshëm të këngëtares shqiptare.