Zbardhen detaje të tjera nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë. Në dosjen hetimore të zbardhur nga ‘Inside Story’ zbulohet edhe një e dhënë mjaft e rëndësishme që tregon se i mituri që plagosi Canin, Mario është vetëplagosur me thikë në konfrontim me 14-vjeçarin.
“Rezulton se diagnoza e shtrimit është repture (këputje) tendina në dorën e majtë si dhe shembje e parakrahut dhe është kryer ndërhyrja kirurgjikale në datën 18.11.2024 për riparimin e tyre.”
Mario Përlleshi është shtruar në spital me diagnozën e trauma prerëse në dorën e majtë dhe tek pjesa e historisë së sëmundjes përshkruhet se: “Pacienti vjen në urgjencën e SA1, shoqëruar nga familjarët e tij, pasi ka ndodhur një sherr në shkollën “Fan Noli”. Referon se 4 veta e kanë goditur me grushte në kokë, është rrëzuar dhe më pas ka nxjerrë thikën dhe ka prerë veten padashje”.
Autori i dyshuar i ngjarjes qëndroi 9 ditë në spital privat dhe më pas u dërgua në Institutin e të miturve në Kavajë. Atje është hospitalizuar menjëherë duke qëndruar në infermieri. Gjendja e tij fizike dhe psikologjike paraqitet e qëndrueshme.
Deri në këto momente që flasim ka një kundërthënie ndërmjet deklaratave të policisë dhe Luis Meçes. Tashmë, do të jenë veprimet e prokurorisë dhe ekspertizat e plota që mund të hedhin më shumë dritë.
“Nuk është se është rast i lehtë, është rast kompleks, është rast që ka dinamikë brenda. Do të ketë shumë personazhe sa i përket pjesës së hetimit. Pjesa finale do të jetë me detyrat që do të lerë prokurori i çështjes tek oficerët e policisë gjyqësore, sepse ai është duke e ndjekur rastin. Nëse ata do të përkushtohen dhe detyrat janë konkrete është shume e zbardhur si ngjarje”, u shpreh avokati, Edmond Petraj.
Mario Përlleshi u njoh me masën e Gjykatës së Tiranës “arrest me burg”. Pavarësisht atyre që janë thënë deri sot, Mario nuk ka dhënë asnjë dëshmi për ngjarjen. Deponimi i tij, konsiderohet një prej momenteve më të rëndësishme në hetimin e kësaj tragjedie.