Bajer Leverkusen mposhti të martën 1-0 Interin në Ligën e Kampionëve. Goli i Nordi Mukiele në minutën e fundit të ndeshjes i dha tri pikë “Aspirinave”, duke bërë që italianët të pësojnë humbjen e parë pas gjashtë ndeshjeve në këtë turne. Nëse lëmë pas Mukiele, që si autori i golit të vetëm u shpall lojtari i ndeshjes, një rol kyç në mesin e fushës për gjermanët kishte edhe Granit Xhaka. Mesfushori shqiptar “fiku” rivalët me performancën e tij dhe sipas “SofaScore” me notën 7.9 është futbollisti i dytë më i vlerësuar i takimit.

Xhaka bëri 113 prekje, ndërsa nga 104 pasime ai kompletoi 98, me 94 përqind saktësi. Ai kishte katër topa të gjatë të saktë, ndërsa fitoi katër nga katër duele. Mesfushori shqiptar kishte edhe dy pasime kyçe dhe një ndërhyrje të saktë. Pas ndeshjes Graniti tha se duhet të punojnë për të marrë të tjera pikë. “Të gjithë duhet të punojmë shumë deri në Krishtlindje. Ne kemi nevojë për pikë, nëse luajmë në mënyrë kaq të kontrolluar, fitojmë ndeshje. Ndaj Interit ishim totalisht dominuese. Është fakt që ata nuk e goditën në asnjë rast portën tonë”, tha Xhaka. Bajer Leverkusen grumbullon 13 pikë në renditje.

VLERËSIMI NGA KLINSMAN – Ndërkohë legjenda gjermane, Jyrgen Klinsman, e ka lavdëruar mesfushorin shqiptar, Granit Xhaka. Klinsman deklaroi se Xhaka jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes është lider. Kështu ka raportuar të martën për “Bild”. 60-vjeçari ka shtuar se Xhaka është prej futbollistëve kryesor te skuadra e Bajer Leverkusenit. “Kur vjen puna për të udhëhequr ekipin, askush nuk është si Granit Xhaka.

Ai është lideri, futbollisti kryesor në dhomat e zhveshjes. Pa dyshim edhe Florian Virc po bëhet një futbollist gjerman i jashtëzakonshëm”, ka thënë Klinsman. Xhaka është duke e kaluar edicionin e dytë te skuadra e drejtuar nga trajneri Ksabi Alonso. 32-vjeçari në sezonin e parë me klubin gjerman e fitoi titullin e kampionit në Bundesligë, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë, sikurse ishte finalist edhe në Ligën e Europës. Graniti është i lidhur me “Aspirinat” deri në verën e vitit 2028.