Partia Demokratike vijon punën për organizimin në terren të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vitit të ardhshëm.

Këtë të enjte Kryesia e selisë blu ka miratuar dhe Grupet e punës nëpër qarqe të Partisë Demokratike që do asistojnë krerët e fushatës në qarqe.

Pas përfundimit të mbledhjes se sotme me Drejtuesit e Qarqeve në PD, Kryetari Sali Berisha u shpreh në një prononcim për media se, kryeministri Edi Rama po shmang detyrimet kushtetuese dhe përballet me frikë ndaj interpelancave, ndërsa e akuzon për mungesë aftësie dhe guximi për t’u ballafaquar me opozitën. Berisha vë theksin te problematika e rikthimit të botës së krimit, duke përmendur platformat si Enchrochat dhe Matrix, dhe e lidh këtë me keqqeverisjen aktuale.

Berisha kritikoi ashpër qendrimin ndaj deputetëve që braktisën parlamentin gjatë një interpelance për ministren e Arsimit, duke e cilësuar atë si autore morale të një tragjedie të ndodhur në një shkollë. Për protestat, Berisha thekson se do të ketë një kalendar të pandërprerë aktivitetesh me fokus fitimin e mbështetjes qytetare, ndërsa përmend një marshim të planifikuar më 8 dhjetor nga Qyteti Studenti drejt Kryeministrisë, i organizuar nga të rinjtë.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh para kamerave për rëndësinë e votës së diasporës dhe thekson angazhimin për identifikimin e votuesve jashtë vendit përmes punës në terren. Ai refuzoi qasjet pompoze dhe shpenzimet e mëdha në fushata, duke u bazuar më shumë në kontakte direkte me qytetarët. Duke cituar fushatat elektorale amerikane, Berisha argumenton se kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit janë çelësi i suksesit, ku edhe nënvizoi se takimet në terren do të fillojnë para vitit të ri dhe ftoi politikanët të angazhohen më shumë në lidhjen e drejtpërdrejtë me qytetarët.