Këshilltarë të Donald Trump po i paraqesin privatisht propozime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që do të përfshinin lëshimin e pjesëve të mëdha të territorit për Rusinë në të ardhmen e afërt. Kështu pretendon agjencia e lajmeve Reuters, që analizon deklarata dhe intervista të personave të afërt me presidentin e zgjedhur.

Propozimet nga 3 këshilltarë kyçë, përfshirë të dërguarin e posaçëm për Rusinë dhe Ukrainën, gjeneralin e dalë në pension Keith Kellog, kanë disa elemente të përbashkëta, përfshirë heqjen nga tryeza të anëtarësimit të Kievit në NATO.

Këshilltarët do të përpiqeshin të detyronin Moskën dhe Kievin të zhvillonin negociata përmes strategjisë së karrotave dhe shkopinjve, përfshirë ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Kievin nëse nuk pranon të bisedojë, apo duke ia shtuar mbështetjen nëse presidenti rus Putin refuzon.

Plani i Kellog, i hartuar në bashkëpunim me ish-zyrtarin e këshillit të sigurisë kombëtare Fred Fleitz dhe që i është prezantuar Trump-it më herët gjatë vitit, kërkon ngrirje të kufijve aktualë në fushëbetejë dhe parashikon garanci sigurie për Kievin, përfshirë furnizime me armë, nëse pranon marrëveshjen. Trump ka premtuar t’i japë fund luftës brenda 24 orëve, por duke konsideruar natyrën komplekse të konfliktit mund ta ketë të vështirë të përmbushë një zotim të tillë.

Presidenti ukrainas Zelensky, i gjendur përballë mungesës së personelit dhe humbjeve të vazhdueshme në terren, ka sugjeruar se mund të jetë i hapur ndaj negociatave, edhe pse me gjasë do të kontestojë një sërë elementësh të planit Trump. Por presidenti i zgjedhur mund ta ketë të vështirë të angazhojë Putinin drejt një zgjidhjeje, teksa avantazhi në fushëbetejë mund të rrisë pretendimet e tij në tryezë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk do të komentonin mbi deklarata individuale pa pasur një ide të planit si i tërë.