Rreth 43.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një deklarim të rrallë për numrin e viktimave. Në një postim në rrjetet sociale, presidenti ukrainas ka thënë se janë raportuar 370.000 persona të plagosur, ndonëse në këtë shifër ai ka thënë se përfshihen edhe ushtarët që janë plagosur më shumë se një herë.

Ai ka pretenduar se si pasojë e luftës janë vrarë 198.000 ushtarë rusë dhe janë plagosur 550.000 të tjerë. Kievi dhe Moska kanë publikuar rregullisht vlerësime për humbjet që ka pësuar pala tjetër, mirëpo asnjëherë nuk kanë folur në hollësi. Shifra e re në anën ukrainase përbën rritje të konsiderueshme të vdekjeve prej nisjes së luftës.
Zelensky pati thënë në shkurt të këtij viti se shifra e viktimave shkon në 31.000.
Vlerësimet e Zelenskyt për humbjet e palës ruse janë të ngjashme me ato që kanë ofruar zyrtarët perëndimorë, të cilët vlerësojnë se Rusia ka regjistruar 800.000 viktima, përfshirë të vrarët dhe të plagosurit. Moska hedh poshtë këto shifra. Përmes një deklarate, Kremlini ka pretenduar se humbjet e ukrainasve janë “disa herë më të mëdha” sesa ato ruse. Zhvillimet e fundit kanë ndikuar në rritje të numrit të të vdekurve.

Forcat ushtarake ruse vazhdojnë të bëjnë avancime të vogla në vijën e frontit në lindje të Ukrainës, si dhe në rajon rus, Kursk. Forcat ukrainase kontrollojnë pjesë të vogla të territorit rus në Kursk, të cilin e kanë fituar përmes një ofensive të befasishme në Rusi, në gusht të këtij viti. Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Tetë vjet më vonë e ka nisur luftën e plotë në Ukrainë, duke pushtuar territor në jug dhe lindje të shtetit. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.