Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij është i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe për të kthyer një pjesë të territorit të saj përmes kanaleve diplomatike pasi Kievi të anëtarësohet në NATO.

Në një intervistë ekskluzive në pallatin presidencial në Kiev, Zelensky tha se mbështetja e partnerëve “nuk është e mjaftueshme” dhe i bëri thirrje NATO-s që të ftojë Kievin në negociatat për anëtarësimin me aleancën ushtarake sa më shpejt të jetë e mundur.

Ai tha se “është e vështirë të rimarrë me forcë disa nga pjesët e pushtuara nga Rusia të vendit, duke përfshirë Krimenë, e cila u aneksua nga Rusia në 2014“.

“Ushtrisë sonë i mungon forca për ta bërë këtë. Kjo është e saktë. Duhet të gjejmë zgjidhje diplomatike. Por hapa të tillë mund të merren parasysh vetëm kur e dimë se jemi mjaft të fortë sa Rusia nuk mund të nisë një agresion të ri kundër Ukrainës”, theksoi lideri ukrainas, duke vënë në dukje se lufta ka hyrë në një “periudhë të ndërlikuar”.

I pyetur nëse mendonte se mbështetja e SHBA për Ukrainën do të vazhdonte pasi presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të merrte detyrën, Zelensky tha se Trump dhe ekipi i tij e dinin pozicionin e Ukrainës dhe “Planin e saj të Fitores”, i cili synon ta vendosë atë në një “pozitë të fortë” për të lehtësuar zgjidhje diplomatike

“Ata po studiojnë planin dhe ne do të dëgjojmë prej tyre. Por nuk do të ketë asnjë kapitullim nga ana e Ukrainës. Ky është fakt dhe mendoj se ai e kupton”, ka theksuar ai dhe ka shtuar se po llogarit në bisedime shtesë me presidentin e ri amerikan për t’i “shpjeguar disa gjëra më në detaje”.