Varësia e kryeministrit sllovak, Robert Fico nga Moska dhe mosgatishmëria për të zëvendësuar gazin rus është një “çështje e madhe sigurie” për Evropën, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë të postuar në internet, udhëheqësi ukrainas tha se Fico nuk donte të merrte pjesë “në punën e përbashkët evropiane për pavarësinë energjetike ose të kërkonte zëvendësim për gazin rus”, por donte të ndihmonte Rusinë.
Sipas tij, kjo “nënkupton se ai dëshiron të ndihmojë Putinin të fitojë para për të financuar luftën dhe për të dobësuar Evropën”.
“Ne po humbasim njerëz si rezultat i luftës që filloi Putini dhe besojmë se një ndihmë e tillë për Putinin është e pamoralshme. Z. Fico madje refuzoi kompensimet për të lehtësuar periudhën e tranzicionit dhe për të hequr qafe varësinë, që do të thotë se nuk është një çështje sigurie për të.”, deklaroi Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas akuzoi Fico-n se ishte “i interesuar në mënyrë specifike për gazin rus”.
“Kjo është me të vërtetë një çështje e madhe sigurie – si për Sllovakinë ashtu edhe për të gjithë Evropën. Pse ky lider është kaq i varur nga Moska? Çfarë po i paguhet dhe me çfarë paguan?”, shtoi ai.