SHBA ka ndaluar përdorimin e ngjyriesit sintetik “Red No 3” në ushqime dhe ilaçe, pas lidhjeve të zbuluara me kancerin tek minjtë në laborator.

Ngjyra përdoret kryesisht në karamele, kekë, biskota, ëmbëlsira të ngrira dhe ngjyra për mbushje, si dhe në disa ilaçe, tha agjencia.

Ndalimi është rezultat i një kërkese të bërë në vitin 2022 nga disa grupe, përfshirë Qendrën për Shkencë në Interesin e Publikut, të cilët argumentuan se ngjyra duhet të ndalohej për shkak të lidhjeve të saj me kancerin dhe përdorimit të gjerë nga konsumatorët në SHBA, veçanërisht fëmijët.

Red No 3 u ndalua në kozmetikë 35 vjet më parë nga FDA. Po ashtu, Kalifornia e ndaloi shtimin e këtij aditivu në produktet ushqimore në tetor 2023.

Ngjyra është e kufizuar edhe në vende të tjera jashtë SHBA-së, si në Australi, Zelandën e Re dhe Bashkimin Evropian.

Prodhuesit e ushqimit që përdorin Red No 3 do të kenë deri në janar 2027 për të riformuluar produktet e tyre, ndërsa prodhuesit e ilaçeve do të kenë një vit shtesë deri në janar 2028 për të bërë përshtatjet.