Në mbyllje të mandatit të tij 5 vjeçar si ambasador i Italisë në Shqipëri z. Fabrizio Bucci u vlerësua nga bashkia e Gjirokastrës me titullin “Qytetar Nderi”.

Ambasadori Bucci u vlerësua me titullin “Qytetar nderi” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në forcimin e lidhjeve historike dhe të bashkëpunimit aktual mes Italisë dhe Gjirokastrës.
Mirënjohje për vëmendjen dhe iniciativat e tij me ndikim në ngritjen në një nivel edhe më të lartë të marrëdhënieve, falë realizimit me sukses të programeve dhe projekteve në fushat e kulturës, turizmit, ekonomisë dhe edukimit”.

Pas ceremonisë së mbajtur në muzeun “Kadare” ambasadori Bucci bëri një përmbledhje të përvojës së tij dhe të situatës së shkëmbimeve mes dy vendeve.
“E vlerësoj shumë këtë nder. Jam ndier si në shtëpinë time në Gjirokastër, pas 5 vitesh mbarova mandatin tim dhe Shqipërinë do ta kem në zemrën time dhe do kthehem jo si ambasador por si qytetar nderi i Gjirokastrës. Ka qenë një periudhë që ne kemi bërë shumë për marrëdhëniet bilaterale mes Italisë dhe Shqipëri. Unë mbërrita në periudhën para Covid, kaluam gjithë periudhën e vështirë të pandemisë dhe pas saj mund të them se ne jemi vendi i parë partner tregtar i Shqipërisë, gjithashtu vendi i parë furnitor dhe klient i Shqipërisë nga ana ekonomike. Shkëmbimet tregtare me Italinë janë sa 20% e produktit të përgjithshëm bruto. Gati gjysma e ndërmarrjeve ekonomike private të huaja në Shqipëri janë italiane. Italianët janë grupi më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri dhe numrat rriten çdo ditë.”
Ambasadori italian në largim e ka komentuar situatën politike në Shqipëri ende si konfliktuale dhe me nevojë për përmirësim të klimës mes forcave politike.

“Situata politike në Shqipëri vijon fatkeqësisht të jetë shumë konfliktuale. Do të mbahen zgjedhjet pas pak muajsh dhe unë uroj që të jetë një fushatë elektorale e bazuar në fakte dhe programe, sepse besoj se votuesit shqiptarë duan të kuptojnë se cilat janë alternativat. Duan të dijnë çfarë sugjerojnë partitë për të përmirësuar kushtet e tyre të jetës. Ne thjesht respektojmë dinamikën e politikës shqiptare por në planin ndërkombëtar Shqipërisë i intereson pranimi në BE. ”
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Golemi vlerësoi kontributin e ambasadorit Bucci në këto katër vite të qëndrimit të tij në Shqipëri.

” Është dita për ta falënderuar ambasadorin për punën dhe ato që kemi bërë së bashku edhe përtej detyrës si diplomat sot kemi një qytetar nderi të Gjirokastrës por kemi edhe një përfaqësues e ambasador të Gjirokastrës kudo ku ai do shkojë.”
Ambasadori Fabricio Bucci do të marrë pas misionit në Shqipëri detyrën e ambasadorit të Italisë në Gjermani.