AstraZeneca ka anuluar planet për një fabrikë të prodhimit të vaksinave prej 450 milion paundëve në Liverpool, duke fajësuar një shkurtim të fondeve nga qeveria.
Investimi, i shpallur vitin e kaluar në buxhetin pranveror të konservatorëve, varej nga një “marrëveshje reciproke” me Thesarin dhe palët e treta, u tha në atë kohë.
“Nuk do të vazhdojë më, sepse ministrat kanë ofruar më pak fonde se paraardhësit e tyre”, tha gjiganti farmaceutik. Një zëdhënës i AstraZeneca tha: “Pas diskutimeve me qeverinë aktuale, ne nuk po ndjekim më investimin tonë të planifikuar në Speke”.
“Disa faktorë kanë ndikuar në këtë vendim, duke përfshirë kohën dhe uljen e ofertës përfundimtare në krahasim me propozimin e qeverisë së mëparshme”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se paratë do të kishin zgjeruar një vend ekzistues në Speke dhe u përshëndet në atë kohë si një “votë besimi” në Liverpool dhe sektorin e shkencës në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan skynews.
Zëdhënësi i AstraZeneca tha se Speke “do të vazhdojë të prodhojë dhe furnizojë vaksinën e gripit, për pacientët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën”.
Ndërsa një zëdhënës i qeverisë tha se një “ndryshim në përbërjen e investimit” i propozuar nga AstraZeneca “kishte çuar në një ofertë të reduktuar granti qeveritar”.
Zëdhënësi shtoi: “I gjithë financimi i granteve të qeverisë duhet të tregojë vlerë për tatimpaguesit dhe për fat të keq, pavarësisht punës së gjerë nga zyrtarët e qeverisë, nuk ka qenë e mundur të arrihet një zgjidhje”.
Ndryshe, fabrika e re në Speke kishte për qëllim të përmirësonte gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për pandeminë.
Raportet se ajo ishte nën kërcënim dolën menjëherë pasi laburistët fituan zgjedhjet e përgjithshme, kur ministrat paralajmëruan për nevojën për të bërë shkurtime në projektet e infrastrukturës për të mbushur një “vrimë të zezë” prej 22 miliardë funtesh në financat publike.
Konfirmimi vjen pasi ish-sekretari i shëndetësisë Matt Hancock tha se Mbretëria e Bashkuar duhej të përmirësonte aftësinë e saj të prodhimit të vaksinave si një pjesë “kritike” e përgatitjes për një pandemi të ardhshme.