Ndërtimi i autostradës Elbasan – Lekaj do të kushtojë 148 mln euro, me TVSH. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratat me kompanitë që u shpallen fituese e që do të zbatojnë punimet në 6 lotet e këtij aksi. Me nënshkrimin e kontratave i hapet rruga nisjes së punimeve që sipas dokumenteve të tenderit do të zgjasin 24 muaj apo thënë ndryshe në përmbyllen në dhjetor 2026.

Ky aks rrugor ka një gjatësi prej 40.7 km dhe kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë). Ai nis në afërsi të ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës.

Elbasan – Lekaj është një segmentet e Korridorit 8, çka nënkupton se pas përfundimit të punimeve do të jetë autostradë, ndërsa referuar dokumenteve të tenderit shpejtësia e lejuar do të jetë në intervalin 90 – 140 km/orë.

Korridori 8 konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, ndërsa aktualisht është duke u punuar edhe në 8 lote të tjera, nga Elbasani në drejtim të Qafë Thanës. Kjo është vepra publike, që do të marrë dhe pjesën më të madhe të fondeve buxhetore rrugore për vitin 2025, me rreth 8.8 mld lekë të planifikuara.