Analisti Mentor Nazarko ka deklaruar se kryepeshkopi Anastas Janullatos do të dëshironte dhe është pjesë e amanetit të tij të fundit që të varrosej në Shqipëri.
“Janullatosi do të dëshironte dhe është pjesë e amanetit të tij të fundit që të varrosej në Shqipëri. Për këtë arsye, ai dëshironte të kishte nënshtetësinë shqiptare. Ai do dëshironte që në këtë komunitet që ai e drejtoi të mbaheshin mend dhe mospërplasjej me atë që është ndjeshmëria e shqiptarëve, të qënit shqiptarë dhe jo grekë”, u shpreh ai në një lidhje me Skype për “News Line”.
Më tej, analisti u shpreh se beteja për trashëgiminë e tij në krye të Kishës Ortodokse është e vështirë.
Sipas Nazarkos, janë disa emra që mund të drejtojnë kishën si peshkopi i Korçës apo Elbasanit.
Për analistin, kontrolli i financave do të jetë një nga pikat më të vështira, pasi vazhdon të jetë në duart e një prifti grek.
“Problematikat që mund të lindin për trashëgimin e tij në krye të kishës lidhen me ambiciet natyrale të atyre që janë peshkop për t’i zënë vendin. Qarkullojnë disa emra, qoftë peshkopi i Korçës, ai i Elbasanit, Anastasi i ri, i cili ishte shumë i afërt kohët e fundit me kryepeshkopin. Por mendoj që ajo që është e rëndësishme dhe që është instrument i fuqishëm kontrolli jo thjesht nëpër kisha, por kudo është kontrolli i financave. Në gjykimin tim, kontrolli i financave vazhdon të jetë në duart e një prifti grek dhe kështu që në një kontekst të tillë, beteja do të jetë e vështirë. Unë vetë do të kisha preferuar figura me profil të spikatur fetar, teologjik si At Theofan Koja, që vjen nga Kisha Ortodokse e Amerikës, i afërt me Patriarkanën, e alineuar me SHBA- të, ndërsa Janullatos kohët e fundit rrëshkiti në ndikimin rus…”, tha Nazarko.