Ceremonia e betimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump në 20 janar, një nga ngjarjet më të mëdha mediatike në vend, ka rrëmbyer vëmendjen e kompanive të ndryshme, të cilat po nxitojnë të ofrojnë donacione për eventin.
Lista rekord e donatorëve përfshin emra të njohur si kompania ajrore Delta Air Lines apo dega amerikane e prodhuesit koreanojugor të makinave Hyundai, që dhuruan së fundimi nga një milion dollarë.
Po kaq kanë dhuruar edhe kompani të tjera që mbështesin ceremoninë si Boeing, General Motors, Ford, Microsoft, Amazon, Alphabet dhe Meta, si edhe individë si drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook, dhe ai i OpenAI, Sam Altman.
Përveç kompanive të mëdha të teknologjisë, të cilat duhet të kenë gjithmonë frikë nga rregulloret strikte, që mund t’u kufizojnë fuqinë e tyre në treg, në listën e donatorëve është veçanërisht e përfaqësuar industria e automobilëve. Hyundai tha se e përshëndet “mundësinë për të punuar me administratën e re për politikat që mbështesin prodhimin amerikan, mbrojnë zinxhirët e furnizimit dhe inkurajojnë inovacionin”.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet e mundshme në politikën tregtare, si dhe rregulloret për automjetet elektrike dhe emetimet e automjeteve që mund të ndërmarrë administrata e re e Trumpit mund të kenë një ndikim të rëndësishëm ndaj industrisë. Ceremonia e “Inaugurimit” për presidentin Trump, e cila zhvillohet në Uashington, pritet të mbledhë më shumë se 170 milionë dollarë.
Po është ai që mban edhe rekordin e rekordin e mëparshëm me ceremoninë e tij të parë të betimit në vitin 2017, kur biznesmeni mblodhi 106.7 milionë dollarë, ndërsa Joe Biden në 2021 grumbulloi vetëm 61.8 milionë dollarë.