Laura Piñeiro është shefja e Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore të portit të Vigos. Së bashku me Policinë, ajo koordinoi operacionin e fundit kundër një klani të madh shqiptar që fuste kokainë në portin e Vigos. Nga aksioni i zhvilluar në vitin 2023, u kapën 7500 kilogramë kokainë, por sot ajo ka dhënë një intervistë për mediat vendase ku flet për situatën që ndodhet vendi. Sidomos tani që droga kolumbiane po “mbush” tregjet perëndimore.

– Na përshkruani skemën aktuale të trafikut të kokainës.

Piñeiro: Trafiku i kokainës ka pësuar rritje eksponenciale në dy vitet e fundit. Nëse shikojmë statistikat, mund të shohim se Vigo përjeton një vëllim importesh prej rreth 20,000 TEU [masë matëse e barabartë me një kontejner standard]. Në Algeciras është 400,000, në Valencia 450,000, në Barcelonë pak më shumë se 300,000. Dhe, nëse analizojmë dhe krahasojmë operacionet hyrëse të mallrave të ligjshme dhe të paligjshme, shohim se 13 tonë kokainë kanë hyrë në Algeciras, 14 në Valencia, 18 në Barcelonë dhe 8 në Vigo.

– Çfarë fshihet pas këtyre numrave?

Piñeiro: Ka një shtim. Ne kapëm 90 ton kokainë gjatë gjithë vitit të shkuar (2024). Nëse e krahasojmë të dhënat me vitin 2022, kemi kapur dyfishin e sasisë së kokainës. Në vitin 2021 kapnim dhjetra, ose maksimumi disa qindra kilogramë, por tani flasim dhe masim me ton. Vigo është një nga portet me kalimet dhe lidhjet më të mëdha me portet e ‘nxehta’ në Amerikën Latine, dhe malli legal që na vjen ne është mburoja perfekte për krimin. Ne na vijnë fruta, banane, ananas, mango madje dhe gëlqere. Tani po e fshehin drogën edhe në produkte peshku të ngrira.

– Ka metoda shumë të ndryshme për futjen e mallit…?

Piñeiro: Kur flasim për futjen e mallit në një port, disa tipologji konvergojnë. Metodat më të zakonshme dhe tradicionale janë varkat me vela, anijet e peshkimit por ka edhe nga teknikat më të reja që shohim sot, si nëndetëset. Në porte, më të përdorurat janë anijet me kontejnerë. Në këto raste duhet pasur parasysh se droga jo vetëm që mund të fshihet brenda kontejnerit ose në ngarkesë, por edhe vetë anija mund të jetë “vendstrehimi” i drogës. Ndonjëherë ata bëjnë një çarje brenda anijes dhe e fshehin aty drogën. I fusin edhe në çantat e shpinës që zënë deri në 100 kg dhe kur ankorojnë anijën, marrin çantat, të cilat i deklarojnë si sende personale.

– Sidoqoftë, më e zakonshme është fshehja brenda ngarkesës?

Piñeiro: Mund të fshihet brenda vetë ngarkesës, brenda mallit. Por kjo kërkon bashkëpunimin e kompanisë eksportuese dhe asaj importuese. Mund të jetë gjithashtu një strehë “parazitare”, apo siç e quajmë ne “grep i shqyer ose i verbër”. Janë çanta shpine të vendosura mes mallrave legale dhe mund të arrijnë edhe 500 kilogramë. Por një formë më e sofistikuar e fshehjes është “grepi i verbër”, atë që organizatat kriminale e quajnë “sytë e kontejnerit”. Në këtë rast, sasia zvogëlohet, maksimumi 30 ose 50 kilogramë. Kokaina nxirret me punonjësit e portit ose nëpërmjet ndonjë ndërmjetësi tjetër në zinxhirin logjistik të bandës kriminale.

– Cilat organizata kriminale dominojnë skenën e kokainës tani?

Piñeiro: Të thuash se cila organizatë qëndron pas të gjitha dërgesave do të ishte e kotë. Në nivel evropian flitet për kartelet kolumbiane dhe meksikane, të cilat janë aleate të ngushta me galicianët, dhe për praninë në rritje të organizatave nga vendet lindore, qofshin ato bullgare apo shqiptare, madje edhe holandeze, të cilat janë interesuar për portin tonë. Sa i përket organizatave shqiptare, ajo që po shohim është se si në portin e Vigos, ashtu edhe në pjesën tjetër të Spanjës, janë futur në “trend”. Ato nuk janë më organizata kriminale të vendosura në një vend, por janë “shëtitës”. Ashtu siç ndryshojnë portin e origjinës për të mos u zbuluar, me dërgesa përmes Paitas (Peru), Fortalezas (Brazil) ose Balboas (Panama), të njëjtën gjë me mbërritjen. Kanë degë, lëvizin në të gjithë territorin e vendit tonë apo dhe në Europë. Sot mund të marrin kokainë nga porti i Vigos, disa muaj më vonë mund t’i gjesh në Barcelonë, apo në Itali, në Livorno. Ata lëvizin në të gjithë territorin, gjë që e bën të vështirë ndjekjen e tyre.

– Si mund t’i ndjekim ata?

Piñeiro: Nuk mund t’i zbuloj mënyrat tona të punës, sepse do të ekspozohesha ndaj keqbërësve, por mund të komentoj për çështje që na japin një avantazh të madh. Analizojmë rrugët tregtare, kompanitë e eksportit dhe importit, kontrollojmë operatorët e besuar. Kjo na jep një këndvështrim ndryshe për “lojën”. ‘Analizat’ që ne kryejmë fokusohen në disa faza. Nga njëra anë, para mbërritjes së mallit. Para se të ngarkohet në origjinë, 24 orë para ne kemi të gjitha informacionet që na duhen për ngarkesën, kur do të arrijë dhe për kë është. Në momentin kur mbërrin ne kryejmë ankorimin dhe regjistrimin e anijes. Përveç kësaj, ne inspektojmë kontejnerin e anijes dhe e ndjekim deri në destinacion.

– Le të flasim për korrupsionin. A është aq i rëndësishëm sa duket?

Piñeiro: Prania e personelit brenda portit e bën më të lehtë për organizatat kriminale kryerjen e nxjerrjes së drogës. Pasi sa më shumë staf të kemi, aq më e lartë mund të jetë shkalla e korrupsionit. Por fakti që nuk ka staf nuk do të thotë se porti nuk është i korruptuar. Për shembull, në Barcelonë, ku i gjithë procesi është plotësisht i automatizuar, ka pasur probleme. Disa nga personat që merren me kompjuterat dhe skanerat në port u arrestuan sepse ndryshonin numrin e kontejnerëve, pra i regjistronin sikur të ishin bosh. Ne kemi përforcuar mjetet teknike, janë blerë skanerë kontejnerësh./