Armando Broja po kalon një nga momentet më të errëta të karrierës së tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka pësuar një tjetër dëmtim afatgjatë e kësisoj, do të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës.

Në këtë situatë, klubi i Evertonit që e kishte marrë në huazim nga Çelsi, ka menduar që të ndërpresë huazimin, për ta kthyer përsëri te londinezët që në janar. Megjithatë, për të bërë të mundur një gjë të tillë duhet të bjerë dakord me londinezët, të cilët raportohet se i kanë vendosu një kusht.

Çelsi i kishte paguar Brojës rrogën edhe pse i huazuar derisa u riaftësua plotësisht nga dëmtimi në tendinën e Akilit i pësuar në verë, duke ia lehtësuar barrën financiare Evertonit. Por sipas “The Guardian”, blutë kërkojnë që Evertoni të bëjë të njëjtën gjë.

Nëse klubi ku gjendet aktualisht Broja kërkon të kthejë mbrapsht sulmuesin për të liruar një vend në ekip, atëherë duhet të paguajë pjesën e mbetur të rrogës të sulmuesit për këtë sezon, siç ishte parashikuar në marrëveshje.

Te Çelsi argumentojnë se dëmtimi i pësuar nga Broja së fundmi nuk ka lidhje me atë të fillimit të sezonit ndaj çdo pagesë e rrogës së sulmuesit shqiptar, është në ngarkim të Evertonit deri në mbyllje të këtij sezoni, kurdo që të riaftësohet ai.