Nga Romelda Bozhani
Një nga gjërat që të bëjnë më shumë përshtypje kur del jashtë Shqipërisë, ose kur jeton në Perëndim, është ajo tkurrja e mundimshme e muskujve të gojës së një njeriu, që shkon deri lart te mollëzat, pastaj kërkon të marrë më kot cepat e syve e, në fund, zbret mundimshëm, sërish, andej nga ka ardhur, nga goja e madhe, e vogël, e re, e vjetër, e mishtë, e brishtë, e shtrembër, e drejtë, që është bymyer mjaftueshëm sa për të vënë buzën në gaz. Ne, këtë përpëlitje titanike, rëndom, e quajmë ngërdheshje, ndërsa këndej, jashtë, e quajnë buzëqeshje profesionale.
Kudo në mjedise publike: në aeroporte, banka, restorante, shkolla, kopshte, muze, dyqane, në sheshe me lule shumëngyrëshe e plot diell të kotë, apo kalldrëme të rrënuara me shi, baltë e të pëgëra qensh, sheh njerëz që vazhdimisht të buzëqeshin. S’e kam fjalën vetëm për atë buzëqeshje që vjen nga mirësia, nga valsi i lumturisë, apo nga paqja erëmirë, për atë gaz që të hap shpirt e zemër e shpesh ta zbukuron ditën e, ndonjëherë, edhe tërë jetën. E kam, edhe për atë buzëqeshje të përllogaritur, për atë hapje e mbyllje goje, që, brenda, thellë, në bajame, apo në gjëndrat e pështymës, fsheh një interes vetjak, një qëllim, një mjet për të ardhur tinëz tek ti. Dhe qëllimi vjen kinse i thjeshtë, i natyrshëm. Njeriu që ke përpara, kërkon të të blejë për t’u bërë i pëlqyeshëm e i pranueshëm në sytë e tu, në mendjen tënde, që ti, në fund, t’ia kthesh me të njëjtën monedhë, të ngërdheshesh me mirësjellje, pra, t’i buzëqeshësh. Tashmë je bërë edhe ti pre mendjelehtë e një etike që shitet.
Shpesh nëndheshëm, ndonjëherë dukshëm, kriteri i përzgjedhjes së një shitëseje, stjuardese, sekretareje, apo modeleje, është bukuria femërore. Estetika tashmë i përket sipërfaqes, s’ka më dyshime për ca vula fluturake, që kanë krijuar një model standart për gruan, kthyer në një mollë të artë përfitimi. Por kjo s’mjafton. Gruaja duhet të jetë geisha, coquette, kukulla lozonjare, që kënaq syrin dhe ca ndjesi të tjera të brendëshme. Kjo është shthurja poetike me të cilën, edhe një burrë perëndimor, bir i një emancipimi tjetër, vazhdon të shohë një grua, në shtëpi, në punë, në rrugë, në mal, në det, kudo. Prandaj, shitësja, stjuardesa, apo çdo grua që i shërben publikut, kthehet në bukuri manipuluese, vjelëse, frutëdhënese. Dhe për këtë trajnohet. Përpos një etike profesionale, i mësohet edhe buzëqeshja profesionale.
Ja, se pse, të kap një lloj ndjesie ngjitëse si mastiç, që të shoqëron sa herë futesh nëpër dyqane e do t’i besosh zgjedhjes e intuitës tënde, ndërsa një krijesë e mrekullueshme me zë të ëmbël e të butë vjen e të këndon te veshi këngën e sirenës e ti sheh, që, në vend të bluzës që kishe zgjedhur fillimisht, në duart e tua kanë përfunduar dy palë pantallona.
Kjo është buzëqeshja profesionale e të perënduarve në Perëndim. Jemi mësuar aq shumë me të, sa mohimi me vullnet ose jo i kësaj ngërdheshjeje, edhe pse shpeshherë bën xixa si shtirje, hipokrizi dhëmbështrënguar, apo skërmitje në cepat e syve, na duket si mungesë profesionalizmi.
Ndërsa, ne të Stalinit, kemi tjetër tkurrje e bymehemi ndryshe. Kemi buzëqeshjen e munguar të Melanisë, zonjës që ka zgjedhur për burrë Trumpin, atë që këto ditë u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo nuk buzëqesh, flet pak ose aspak, vë mbi krye kapele strehëgjëra për t’iu fshehur çdo syri, goje, a veshi e në daljet publike, duket si hija e të shoqit.
Dukej e zymtë, e trishtë, e mënjanuar, e vuajtur, e mbuluar me tis misteri, edhe ditën e madhe të triumfit, kur burri i saj flokëshumë, pa iu dridhur qerpiku fare, premtoi faqe të gjithëve, edhe të atyre që e tallin në çdo presje, që amerikanët tashmë ia hodhën e do të pjekin qiqra në hell mu në mes të Gjirit të Meksikës e pastaj do të shkojnë, për shtatë palë qejfe, të bëjnë piknik në Mars. Muskul fytyre s’i lëvizi Melanisë nga ky lajm i gëzueshëm.
Në ShBA, por sidomos në Europë, këtë perëndeshë të përhumbur e shohin si të palumtur, i analizojnë veshjen, stilin e kapelave, puthjet pa puthje, ato pak grimasa që i shpreh fytyra, si për të përforcuar atë boshllëk të brendshëm që përcjell, atë përpëlitje për mbijetesë që mund të bëjë çdo grua, nëse është përkrah një burri delirant, arrogant, matrapaz e gangster.
Në të vërtetë, nuk është kështu. Në Perëndim, nuk e kuptojnë që buzëqeshja e zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është buzëqeshje profesionale. Duket si një buzëqeshje e munguar, e këputur në mes, e vrarë, por, çuditërisht, ne, bijtë e moralit të hekurt komunist, e kuptojmë që s’ka të bëjë me gjendjen e saj të thellësive. Për ne, ish-ideologjikët e kuq, ajo buzëqeshje e ngrirë, sot e kësaj dite, tregon seriozitet. Shfaq karakterin e fortë të një gruaje spartane, të ndershme, që s’qesh si bishtpërdredhurat e botës kapitaliste, që deri dje përfaqësonin shthurjen dhe drobitjen e një bote që s’na përkiste. Është buzëqeshja e përmbajtur e një gruaje hijerëndë, që ia nderon faqen një babai, vëllai, burri e pastaj, në fund, një atdheu të denjë e krenar, që, për dreq, paskësh qëlluar të ishte edhe ky i yni.
Pra, kemi të bëjmë me modelin sovjetik të gruas, që është kryekëput ndryshe nga modeli perëndimor. Pikërisht këtë model do të përcjellë edhe Melania Trump. Buzëqeshja e saj me masë, është e qeshura e gruas të ca vendeve si ne, që, dikur, seriozitetin e shihnim pikërisht tek sjellja e përkorë, tek etika që bëhej estetikë, tek kotësia e shkrirjes së muskujve të fytyrës, që për ne përfaqësonte vetëm sipërfaqen. Ndoshta, edhe sot, na kanë mbetur fosile të kësaj mendësie, përderisa ende nuk e lidhim me mungesë profesionalizmi një buzëqeshje të munguar, apo një sjellje joetike, që na vret veshin e syrin në qiellin publik shqiptar.
Ajo është buzëqeshja e rreptë staliniste e një kryetareje partie, që morali i lartë e i padiskutueshëm komunist, nuk e lejonte të vishte fustan mbi gju, të hapte dekoltenë, apo të gajasej poshtë e lartë.
Dhe këtë e dimë ne, që jemi lindur e rritur në një regjim komunist dhe i kemi jetuar sadopak ato kohë, nën ndikimin e hijes së Bashkimit Sovjetik. E di edhe Melania, që është lindur dhe rritur në Slloveni, një vend satelit i ish-Jugosllavisë komuniste. Që Melania ka trashëguar gjithë mendësinë e Europës Lindore, e tregon edhe ai trup i saj i ngrirë, edhe veshja prej gjenerali ushtrie, ku qimja s’ngec, por bie në tokë dhe thyhet.
Dukshëm, ajo do t’i tregojë botës që nuk është geisha e burrit të vet. As një coquette mendjelehtë, që di të hapë vetëm dhëmbët e të zgërdhihet, të puthë sa majtas e djathtas, apo të hedhë burrat përtokë me bukurinë e saj. Ajo kërkon më shumë, kërkon vëmendjen e botës prej Zonje të parë, të një vendi të parë. I pëlqen statusi i një gruaje me kurorë, pavarësisht mendimit të përgjithshëm, që e sheh pranë atij burri vetëm për prehje e dobi. Ata që e ngatërrojnë këtë rol, që merr kjo first lady e bukur, elegante, sqimatare, e çuditshme, enigmatike e që nuk i qesh buza kurrë, s’e kanë idenë e pjesës së këndejme të murit të Berlinit.
Pjellë e kësaj mendësie është edhe Biri i vetëm, fryt i një lidhje, që me sa duket, s’është aq e palumtur sa mendohet, përderisa çifti sapo festoi edhe njëzetë vjetorin e martesës me këngë, lule, shkëlqim, shampanjë dhe ar.
Pak ditë më parë, teksa mbështetësit e presidentit të sapozgjedhur, festonin, vallëzonin, lodronin e hidhnin anije kozmike në Mars, kamerat u ndalën te Barron Trump. Trashëgimtari fatlum, kallkan, akull, ajsberg, i tëri kallëp i ngrirë, si të ishte ushtar i Armatës së Kuqe, nxinte, jo nga brenga, por nga serioziteti. Me një përpëlitje titanike, që i lexohej gjithkund në fytyrë, ai u pëpoq të përcillte denjësisht vulën më të mëvetësishme të së ëmës në publik, buzëqeshjen e munguar profesionale.