Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti deklaratën se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës nga Danimarka. Ai e cilësoi një gjë të tillë si të nevojshme për sigurinë ndërkombëtare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga kryeqyteti i Groenlandës Nuuk, se deklarata e udhëheqësit të Shteteve të Bashkuara ka ngritur shqetësim në mes të popullsisë së vogël të ishullit.
E mbuluar nga akulli dhe me stuhi të shpeshta, Groenlanda është në sezonin e dimrit të Arktikut. Megjithatë, sytë e botës po i kushtojnë vëmendje ishullit të largët.
Donald Trump Jr, djali i presidentit, së fundmi shkoi në kryeqytetin Nuuk në përpjekje për të siguruar mbështetje për idenë e të atit, në një vizitë që zgjati vetëm disa orë.
Gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pas inaugurimit, Presidenti Trump përsëriti qëndrimin se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Grenlandës nga Danimarka.
“Djali im dhe zyrtarët e mi shkuan atje para dy javësh dhe ata na duan. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Groenlanda është e nevojshme. Jo për ne. Është e nevojshme për sigurinë ndërkombëtare”, tha Presidenti Trump.
Groenlanda është pjesë e Danimarkës. Popullsia e ishullit prej 57,000 banorësh gëzon një shkallë të lartë autonomie. Qeveria e Groenlandës ka një mesazh të thjeshtë për botën.
“Ne nuk jemi mall, nuk jemi në shitje”, tha ministrja e qeverisë së Groenlandës Naaja Nathanielsen.
Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar përdorimin e trysnisë ekonomike ose ushtarake për të marrë Groenlandën nën kontroll. Komentet e tij alarmuan aleatët evropianë. Megjithatë, Groenlanda thotë se mund të gjejë gjuhë të përbashkët me Uashingtonin.
“Nëse shihni përtej retorikës, dëgjoj dy mesazhe nga Shtetet e Bashkuara: Njëra është nevoja për të patur parasysh aspektin e sigurisë kombëtare dhe ne jemi plotësisht dakord me mesazhin amerikan në atë pikë. Mesazhi tjetër që dëgjoj është, ne duam të përfshihemi më shumë në sektorin mineral të Groenlandës. Kjo është sikur të trokisni në një derë të hapur”, tha ministrja Nathanielsen.
Groenlanda do të mbajë zgjedhjet jo më vonë se në muajin prill. Qeveria dëshiron të mbajë njëkohësisht një referendum për pavarësinë nga Danimarka.
Pas një kontrolli disa shekullor nga Danimarka, erërat politike të ndryshimit në Groenlandë po bëhen më të forta, thotë gazetarja vendase Arnaq Nielsen.
“Tani bëhet fjalë për shumë më tepër sesa marrëdhëniet e ndërlikuara mes Danimarkës dhe Groenlandës. Papritur na viziton Trump Jr dhe gjithçka shpërthen. Një numër i vogël njerëzish janë vërtet të lumtur që djali i presidentit erdhi në Groenlandë. Një grup tjetër i vogël njerëzish janë të zemëruar nga kjo”, thotë zoti Nielsen.
Lajmet tanimë kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave sociale. Disa yje të njohura të platformës ‘YouTube’ kanë ardhur në Groenlandë, duke shpërndarë dollarë amerikanë dhe kapele bejsbolli.
Jo të gjithë e mirëpresin këtë vëmendje. Banorët duken të ndarë në lidhje me komentet e Presidentit Trump.
“Mendoj se jemi në një situatë të tmerrshme. Politikanët tanë po e trajtojnë këtë krejtësisht gabim. Ata janë joshur nga diçka që është shumë më e madhe se sa mund të përballojnë”, thotë Per Chemnitz, banor i kryeqytetit Nuuk.
“Momentalisht, Groenlanda ka vëmendjen e gjithë botës. Kjo është vërtet e mirë dhe është koha që Groenlanda të ketë më shumë vëmendje”, thotë Aká Grønvold, një tjetër banor i kryeqytetit.
Kjo vëmendje duket se do të vazhdojë.
Sytë e botës tani janë në Groenlandë. Por ndërsa debati intensifikohet për të ardhmen e ishullit, banorët e tij thonë se vetëm ata mund të vendosin për të ardhmen e tyre.