Tiranë- A mund t’ia dalë dot drejtësia e re me dosjen e 21 Janarit, çfarë pritet të ndodhë me fazën hetimore të mëtejshme, a ka prova të reja dhe si është penguar ndër vite ky hetim.
Çfarë ndodhi atë ditë kur u vranë në bulevardin para Kryeministrisë nga Garda, 4 protestuesit e opozitës së atëhershme socialiste, hetimet e para dhe pengesat.
Përplasja mes qeverisë dhe prokurorisë së kohës, provat e Strasburgut që rihapën hetimet, provat audio në duart e SPAK, urdhri për të qëlluar me plumba dhe çfarë pritet për urdhëruesit e vrasjeve.
Këto ishin temat e diskutuara mbrëmjen e sotme në “Studio Live” të Report TV, të moderatorit Arbër Hitaj. I ftuar ka qenë ish-prokurori i Prokurorisë së Tiranës në atë kohë, Ervin Karanxha, pjesë e grupit hetimor që ka kryer veprime menjëherë pas vrasjes së 4 protestuesve Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.
Karanxha ngriti disa çështje juridiko-ligjore që janë bërë shkak edhe për zvarritjen e hetimeve dhe që kjo ngjarje e rëndë e cilësuar si krim shtetëror publikisht, nuk ka ende përfundim procedurial dhe as autorë të dënuar në themel.
Ish-prokurori mendon se gabimi është kryer nga Prokuroria e Përgjithshme që në atë kohë, e cila kishte kompetencat për zyrtarët e lartë, siç i ka SPAK-u sot dhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj e ka të shpallur tekstualisht se hetimet duhet të ishin bërë që në atë kohë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.
“Kjo nuk u bë, sepse Prokuroria e Tiranës nuk kishte kompetencë, ndaj topi ka mbetur te Prokuroria. Nuk u bënë veprime. Prokuroria e Përgjithshme duhet të kishte thirrur zyrtarët e lartë, përfshi edhe kryeministrin, e kishte për kompetencë”, shprehet Karanxha mes të tjerash.
Gjithashtu ngre si problematikë të asaj kohe fshirjen e gjurmëve apo provave në Kryeministri, që nga gardhi i dëmtuar nga plumbat që u hoq bashkë me predhat, ashtu edhe te fshirja e pamjeve filmike nga serverat e Kryeministrisë dhe që nuk rekuperohen më.
“Ne kemi shkuar të nesërmen me idenë se nuk do prisheshin vendi, nuk do vidheshin, kur shkuam atje ishin hequr. Menduam se Kryeministri, institucion, kemi ndjekur procedurat. Por kur shkuam ishin hequr, aty ka pasur dëmtime me plumba në bindjen time, kishte vrima tejshpuese në gardh që mund të përcaktonin më tej nga ishte qëlluar dhe kush kishte qëlluar”, rrëfen ai.
Problemi antiligjor i fundit ka qenë moszbatimi i urdhër-ndalimeve nga Policia e Shtetit në atë kohë dhe ekzekutimi i 6 fletë-arresteve vetëm një apo dy javë me vonesë.
“Kam qenë pjesë e grupit hetimor në lidhje me ngjarjen, vrasjet dhe plagosjet më 21 Janar. Fillimisht ishim në Spitalin Ushtarak dhe më tej në Bulevard. Kam këqyrur pjesën ku rrinin anëtarët e grupit të zjarrit dhe zona e gëzhojave, ishim 3 prokurorë, në Kryeministri dhe bodrum. Unë kam qenë te pjesa e gëzhojave. Në orën 02:00 të asaj nate jemi thirrur te zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për një mbledhje dhe janë lënë detyra. Meqë ish-ministri i ndjerë Sokol Olldashi doli me deklaratë për makinën me eksploziv, shkuam menjëherë për verifikim dhe nuk konstatuam asgjë. Më tej kaluam te armët e zjarrit me ekspertime dhe veprime hetimore. Kemi ecur me vijueshmërinë e hetimeve, kemi shkuar më pas në vendin e ngjarjes. Kemi shkuar te një pemë pranë Kushtetueses kemi gjetur një predhë në të e kalibrit 9 mm”, rrëfen Karanxha mes të tjerash.
Ai kujton edhe mbledhjet në atë kohë te Prokuroria e Përgjithshme dhe detyrat, si dhe problematikën për të mos ekzekutuar 6 urdhër-arrestet nga Policia e Shtetit.
“Kemi diskutuar në Prokurorinë e Përgjithshme, janë lëshuar 6 urdhra ndalimi nga Prokuroria e Tiranës që kishte dhe kompetencën për personat dhe ato u penguan në ekzekutim. Urdhrat e ndalimit dolën nga Prokuroria e Tiranës dhe nuk u ekzekutuan nga Policia në moment. Pas shumë debatesh urdhrat u zbatuan pas pak kohe, një apo dy javë. Nga 6 urdhra urdhra vetëm një ishte efektiv për Ndrea Prendin, sepse për të tjerët nuk kanë qenë në hetim”, shpjegon ish-magjistrati.
Ai shpjegon edhe pasivitetin e Prokurorisë së Përgjithshme në këtë çështje, e cila duhet t’i kishte kryer që në atë kohë veprimet me zyrtarët e lartë, sepse ajo kishte kompetencën juridike dhe ligjore.
“Kemi një vendim të Gjykatës së Lartë, që thotë qartësisht se kompetenca për këtë rast është e SPAK. Më parë ka qenë ajo e Prokurorit të Përgjithshëm (pra siç është SPAK sot), si rregull duhej të hetohej nga Prokurori i Përgjithshëm dhe ka sjellë pasoja të rënda. Ne duhet të merrnim tabulatet e zyrtarëve dhe ne s’i kemi bërë, se sipas ligjit të kohës s’kemi pasur kompetencë. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vepronte, sepse ne ishim të rrethit gjyqësor, pa kompetencë. Pse nuk e kryen ata në Prokurorinë e Përgjithshme, unë nuk e di.