Ankaraja pret të hapë një “faqe të re” në marrëdhëniet e saj me administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe të zgjidhë çështjet dypalëshe që presin nga administrata e mëparshme në lidhje me shqetësimet e sigurisë së Turqisë, vuri në dukje ministri i jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.

Shefi i diplomacisë turke, pas takimit që pati në Ankara me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, u pyet për pritshmëritë e Turqisë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në epokën e re dhe çfarë marrëdhëniesh synon të krijojë.

“Marrëdhëniet tona dhe pritshmëritë tona nga Shtetet e Bashkuara janë marrëdhënie strategjike dhe pritshmëri nga shteti në shtet, të cilat janë të pavarura nga partia dhe këndvështrimi i qeverisë në pushtet”, tha ai duke shtuar:

“Çështjet më të rëndësishme janë që të dy vendet të jenë të ndjeshme ndaj sigurisë së njëri-tjetrit, të promovojmë marrëdhëniet ekonomike, të bashkëpunojmë në të gjitha fushat dhe të veprojmë së bashku për të zgjidhur problemet rajonale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Turqinë. Natyrisht, sa i përket ndjeshmërisë së Turqisë në fushën e sigurisë, veçanërisht në Siri dhe Irak, fakti që ndjeshmëria nuk u shfaq në masën që do të donim dhe që këto u reflektuan në praktikë me veprime të gabuara, shkaktoi një krizë besimi mes nesh.”