Interi dhe Milani luajnë të hënën në orën 20:00 në “Kingdom Arena” në finalen e Superkupës së Italisë. Interi eliminoi Atalantën, ndërsa Milani kaloi Juventusin në gjysmëfinale.
Në prag të ndeshjes finale foli edhe trajneri i Milanit, Sergio Conceiçao. Portugezi e ka ndeshjen e dytë në stolin e kuqezinjve dhe kërkon trofeun e parë, ndërsa tha se kanë avantazhe përballë zikaltërve.
“Shpresoj që skuadra të jetë mirë. Kemi një ditë më pak pushim se rivalët dhe disa lojtarë, kur të kthehen nga lëndimet, nuk do të jenë në formën e tyre më të mirë. Gjithsesi, do të përpiqemi të sigurohemi që ta fitojmë ndeshjen”, tha Conceiçao.
Duke folur per mundësinë e aktivizimit të Leao, ai shtoi: “Në seancën e fundit stërvitore do të vlerësoj nëse do të jetë i disponueshëm apo jo. Gjithsesi, ai nuk mund të luajë dot 90 minuta”, tha ai.
“Fati nuk vjen nëse nuk punon, por nëse punon shumë, nëse je serioz. Mund të kesh gjithë besimin në botë, përndryshe nëse rri në shtëpi dhe lutesh për gola nuk do t’i arrish kurrë, por duhet t’i shënosh. Duhet të jemi të uritur, të organizuar dhe me pak fat”, tha Conceiçao.
Rikthimet dhe mungesat
Lajme pozitive mbërritën nga seanca e fundit stërvitore e Milanit. Rafa Leao është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të grupit dhe për këtë arsye duhet të jetë rregullisht në dispozicion të Sergio Conceiçao për finalen. Në grup janë edhe Ruben Loftus-Cheek dhe Alex Jimenez , të cilët dolën të dëmtuar nga ndeshja e fundit. Matteo Gabbia nuk mori pjesë në stërvitje për shkak të një sindrome gripale.