Biznesmeni Elton Ilirjani ka ndarë në “Instagram” lajmin për një bisedë telefonike me këngëtaren Parashqevi Simaku, pas shtrimit të saj në një spital psikiatrik.
Ilirjani ka zbuluar disa detaje nga biseda me ikonën e muzikës shqiptare, duke treguar se ajo kishte marrë injektimin e parë në spital.
“Parashqevi Simaku sapo më telefonoi nga spitali dhe më tha që i kishin aplikuar injektimin e parë! Zoti është i madh!”, ka shkruar ai.
Në një tjetër postim në llogarinë e tij në “Instagram”, Ilirjani ndau një video ku shfaqet i veshur me rrobat e Parashqevi Simakut – shallin dhe kapuçin që ajo mbante në videon e publikuar më 12 Dhjetor, e cila bëri xhiron e rrjetit. Ai deklaroi se do të vazhdojë të vishet si ajo deri sa këngëtarja të shërohet.
“Derisa ti të shërohesh unë do vishem si ti në Penn Station!”, shkroi Ilirjani.
Duke e quajtur “flutura jonë rozë,” ai shprehu dashurinë dhe mbështetjen e tij për këngëtaren, ndërsa reflektoi mbi 34 ditët e sakrificës dhe përpjekjeve për të.
“Flutura jonë filloi të rikthehet mes nesh! Sot ajo nisi kthesën! Plot 34 ditë sakrificë, magji, dashuri, sfida, lodhje, gëzim, lot, frikëra! Por në fund: FITUAM! Atë që askush nuk arriti ta bënte për 25 vite! ASKUSH! Jam krenar për ty flutur! Krenar për herë të parë për veten time, sepse ishte thjesht dhe vetëm dashuria që kam për ty!” shkroi ai, duke shtuar: “Shërim të shpejtë, Flutura jonë rozë! Derisa ti të shërohesh unë do vishem si ti në Penn Station!”
Parashqevi Simaku, pas një mungese të gjatë nga jeta publike shqiptare, u shfaq më 12 Dhjetor të vitit të kaluar në një video që bëri bujë të madhe. Në pamje, ajo dukej si një person i pastrehë duke lëvizur në rrugët e New York-ut për të marrë ndihma vullnetare.