Nga Ylli Pata

Jemi ekzaktësisht si tetë vjet më parë. Në janar të vitit 2017 (mund të gjendet lehtësisht në ueb), qarqe pranë Sali Berishës bombarduan për ditë opinionin se Donald Lu (në atë kohë ambasador i SHBA në Tiranë) është pezulluar nga presidenti që sapo ka marrë detyrën.

Dihet tashmë historia, Donald Lu qëndroi në Tiranë deri në vitin 2018, ndërkohë që ju hoq viza amerikanet Adriatik Llalës, atëherë kryeprokuror, më pas u shpall non grata, histori që dihet. Në verë, kur ishin zgjedhjet u ngrit çadra, dhe një i dëguar i qeverisë së Trump erdhi në Tiranë, që e paralajmëroi Sali Berishën shumë fort, gjë që e ka pranuar edhe vetë.

Në 4 vitet e Trumpit të parë, Sali Berisha nuk shkoi ndonjëherë në SHBA për ndonjë takim të rëndësishëm, e në fund të 2018-s ju bllokua në fillim viza familjarisht, e më pas ndodhi historia e non grata-s e gjithçka tjetër çfarë gjithashtu dihet.

Pas shpalljes non grata, nisi riciklimi i historisë së rrezikut të Sorosit, siç ndodhi para zgjedhjes së Trumpit të parë, e nisi të ushqehet iluzioni i rikthimit të Donaldit, si një mehlhem për të hequr njollat për doktorin.

E kështu jemi ekzaktësisht si tetë vjet më parë, në një vend ku gjërat harrohen shpejt, e si thuhet “çudia 3 ditë zgjat”.

Nuk kaloi as pak orë nga betimi i Donald Trump e ai i shkreti nuk kishte rehatuar mirë në zyrën ovale apo mjediset e Shtëpisë së Bardhë, e në mediat afër Doktorit nisi bombardimi me dronë luftarakë mediatik. “Donald Lu ka dhënë dorëheqjen”, “Yuri Kimin do ta pushkatojnë te Mali me Gropa e në Ambasadë ka plasur një dhimbje që nuk pushon as me çaj kamomili”.

Edi Paloka doli në televizion e tha se “non grata” ka rënë, kurse Edith Harxhi, pa ju dridhur qerpiku zbuloi se një nga 200 urdhërat ekzekutivë të Trump janë heqja e fondeve për SPAK.

Dhe në një mënyrë kështu, pa u skuqur fare. Po ç’lidhje kanë urdhërat ekzekutivë të presidentit të SHBA me fondet e SPAK?

Urdhri ekzekutiv për pezullimin e fondeve, edhe pse është i përgjithshëm e jo i detajuar, ai ka të bëjë vetëm me atë aspekt politik që mbrojti në fushatë Trump. E në mënyrë të qartë aty thuhet se ndërpriten programet e “diversitetit, barazisë”, d.m.th aspektit gjinor, si dhe ndryshimeve klimatike. Ky urdhër ekzekutiv i Trump, nuk është gjë tjetër vetëm një dejavu e 2017-s.

Të njëjtët akte ka marrë dhe atëherë e nuk ka lidhje as me Shqipërinë e as me ndihmën e drejtësisë, e cila përfiton prej SHBA si pjesë e një marrëveshje ndërshtetërore të trajnimit, financimit dhe këshillimit të ekspertëve të FBI, prokurorive, apo edhe DEA-s.

Po si ka mundësi që Trump të pezullojë ndihmat për SPAK, kur nën udhëheqjen e Trump u ngrit SPAK dhe nisi zbatimi për Shqipërinë i ligjit 7030/C, që ne e njohim si non grata?

Thjesht deri më sot administrate Biden nuk hoqi asnjë non grata të shpallur nga sekretarët e Trump, e as nuk do të ketë të kundërtën. Megjithatë, deri në fund të shkurtit, do të qarkullojnë shumë shashka të tilla, për tu zëvendësuar me të tjerë, për të mbajtur fort një debat publik alla Babale, sa të mbajë të mbajë…