Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi më 23 janar të lirojë nga ndjekja penale ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, si dhe ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Vladimir Atanasovski, të cilët ishin akuzuar si “organizatorë të ngjarjeve të dhunshme” në Kuvendin maqedonas më 27 prill 2017.

Vendimi i gjykatës u bazua në mendimin e Prokurorisë Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që sugjeronte zbatimin e Ligjit për amnisti të vitit 2018. Të akuzuarit u përballën me akuzën :“Kanosje terroriste e rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Gjykatësi Ilija Trpkov shpjegoi se ai personalisht, dhe Këshilli ende qëndrojnë në mendimin se qëllimi i ligjvënësve nuk ka qenë që të amnistojë organizatorët.

“Por, në dispozitat e Ligjit për amnistinë, ekziston një lidhje sipas së cilës Prokuroria Publike dhe ajo e Apelit, konsiderojnë se këta të pandehur nuk janë persona që kanë vepruar në kundërshtim me autoritetin e tyre zyrtar gjatë kryerjes së veprës penale të kërcënimit terrorist të rendit kushtetues”, tha gjykatësi Ilija Trpkov, duke nënvizuar se vendimi për amnisti, ka të ngjarë të ngjallë edhe emocione.

Ky ishte procesi i dytë gjyqësor ndaj “organizatorëve të ngjarjeve të 27 prillit”.