Disa gra nga qytete të rajonit të Kievit janë pjesë e një njësie ushtarake, duke mësuar në mënyrë vullnetare se si të mbrojnë familjet e tyre. Ato ushtrojnë çdo ditë profesionin e tyre, kujdesen për fëmijët ndërsa duhet të përballen edhe me traumën e sulmit rus. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets sjell më shumë mbi historitë e tyre dhe se si veprojnë njësitë ushtarake vullnetare.

Çdo ditë në punën e saj Inna duhet të merret me numrat dhe kodet. Ajo është mësuese e matematikës dhe shkencave kompjuterike në një shkollë në rajonin e Kievit. Por kjo nuk është puna e vetme e saj. Çdo tre ditë Inna shërben vullnetarisht në një njësi ushtarake lokale. Ajo e vesh uniformën brenda në makinë. Inna i kërkoi Zërit të Amerikës të mos e publikojë mbiemrin e saj.

“Nuk premton koha për të shkuar në shtëpi” .
Inna iu bashkua njësisë vullnetare gjatë kohës së periudhës së pushimeve shkollore. Ajo ishte vullnetare civile kur Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës, por thotë se përherë ka ndjerë se mund të bënte më tepër.

“Pashë një njoftim se kishte nevojë për vullnetare gra. Në fillim kisha mëdyshje për shkak të moshës, jam 51 vjeçe, por vendosa ta provoj. Kam tre fëmijë dhe dua që t’i mbroj”.

Koloneli Andrii Verlatyi dha idenë e ngritjes së një njësie ushtarake vullnetaresh.

“Deri në 1 prill në njësine time kishte kryesisht burra. Por më pas, u njoftua masa për rritjen e mobilizimit. Shumë ushtarë iu bashkuan në mënyrë vullnetare divizioneve të ndryshme të Forcave të Armatosura”.

Koloneli Verlatyi shpjegon se vetëm ata që nuk mund të shërbejnë në shërbimin e rregullt ushtarak mund të bëhen pjesë e formacionit vullnetar, si për shembull ushtarakët në pension, ata që nuk plotësojnë moshën e rekrutimit dhe grate.

“Në 1 shtator, nga 120 vullnetarë në total, 94 ishin gra. Gratë bëjnë gjithçka që është e mundur për të qenë më të mirat, janë më të përgjegjshme dhe janë shumë të motivuara”.
Gratë patrullojnë në qytet së bashku me policët dhe veprojnë si roje nderi. Po ashtu, të gjitha ato, po stërviten për të qenë pjesë e njësive të lëvizshme të mbrojtjes ajrore.

“Tani po praktikohemi. Komandanti mbikqyr dronët rusë. Ne shënojmë koordinatat, vendosim mitrolozët dhe arrijmë objektivin”.
Të gjitha këto gra janë nga zona e rajonit të Kievit që u pushtua në nisje të luftës. Alina është përkthyese, ndërsa kjo vullnetare tjetër, punon në një bar.

“Kam qënë në Buça që kur nisi pushtimi deri në 11 mars. Miqtë e mi vdiqën në pushtim”.
Inna kujton se si u largua nga qyteti së bashku me fëmijët dhe thotë se nuk dëshiron të ndjehet më e pashpresë, si atëherë.

“Tani jam në gjendje të mbaj armë, madje edhe me një dorë. Kam gjendje më të mire fizike. Nuk duhet t’i lejojmë më rusët në rajonin e Kievit. Nuk dua të përdor armë, por duhet të jem gati”.

Inna vazhdon të ndërthurë punën si mësuese dhe të qenit vullnetare në ushtri. Në shkolla ka mungesë mësuesish. Fillimisht familja e saj u trondit nga vendimi që ajo kishte marrë. Por tani ata thonë se ndjehen krenarë dhe mezi e presin të kthehet pasi ajo të ketë ketë mbaruar punën dhe stërvitjen.