Ernest Sabato mbetet një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të botës dhe në deje kishte gjak shqiptari. Sabato lindi më 24 qershor 1911 dhe u nda nga jeta në moshën 100- vjeçare, më 30 prill 2011.
Por ai nuk donte të vdiste pa parë Shqipërinë, vendin e origjinës së nënës së tij dhe mundësia i erdhi më 17 prill 1996. Ishte hera e parë dhe e fundit që personaliteti më i madh i kulturës botërore kishte ardhur në Tiranë, në tokën e Arbrit. Para se të merrte çmimin “Kadare”, shkrimtari Visar Zhiti, i solli një grusht dhe nga trualli i arbëreshëve të Italisë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë ai u vendos në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha. Por sipas dëshmisë së kohës, ai as nuk arriti të flinte, sepse u zgjua në mesnatë dhe doli prej aty duke përfunduar në një nga hotelet e vjetra përreth qendrës së Tiranës së dikurshme. I pyetur për këtë arratisje, Sabato do të rrëfente se natën kishte parë hije nëpër shtëpi.
“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me çmimin ‘Kadare’. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur. Në dorëzimin e këtij çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin ‘Djalosh i dashur dhe i largët’ nga libri im ‘Engjëlli i skëterrës’. Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë…”.
Kështu e përshkruan në librin autobiografik “Përpara fundit”, Sabato vizitën e tij në Tiranë në vitin 1996.