Ushtria e Koresë së Veriut është tërhequr nga vija e frontit në Kursk. Janë zyrtarët ushtarak të Ukrainës të cilët theksojnë se ushtarët e Koresë së Veriut të vendosur në rajonin rus të Kursk janë tërhequr nga fronti.
“Gjatë tre javëve të fundit, ne nuk kemi parë apo zbuluar ndonjë aktivitet apo përleshje të armatosur me koreano-veriorët”, tha një zëdhënës i forcave speciale ukrainase për agjencinë e lajmeve AFP. “Prandaj ne besojmë se ata janë tërhequr për shkak të humbjeve të mëdha”, tha ai.
Zëdhënësi i ushtrisë nuk pranoi të jepte një vlerësim të humbjeve. Ai tha se besonte se ushtarët e Koresë së Veriut po tërhiqeshin për t’u “rikthyer dhe për t’u vendosur diku tjetër”.
Sipas Ukrainës dhe Perëndimit, ushtarët e Koresë së Veriut po luftojnë me ushtrinë ruse në rajonin Kursk të Rusisë, i cili është pjesërisht i pushtuar nga Ukraina.
New York Times raportoi, duke cituar burime në SHBA dhe Ukrainë, se ushtarët e Koresë së Veriut nuk ishin parë në front për dy javë.
Këshilltari presidencial ukrainas Mikhailo Podoliak tha të mërkurën në Platformën X se, sipas forcave speciale ukrainase, disa njësi të Koresë së Veriut ishin tërhequr nga vija e frontit në rajonin e Kurskut. Tërheqja shpjegohet me humbjet e mëdha që njësitë pësuan gjatë luftimeve për të rifituar territorin rus të kontrolluar nga Ukraina.
Kremlini nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje të premten. I pyetur nga AFP për raportin e New York Times, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të premten se kishte “shumë gjëra të ndryshme në të përditshmen amerikane, të drejta, të gabuara, disa gënjeshtra, disa shtrembërime të realitetit”. Prandaj, “ndoshta nuk është e përshtatshme të komentohen (ata) çdo herë.”
Sipas Koresë së Jugut, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, Koreja e Veriut ka vendosur rreth 11,000 trupa në rajonin e Kurskut që nga tetori i kaluar. Ata supozohet të ndihmojnë në rimarrjen e zonës që ka qenë nën kontrollin e Ukrainës që nga një ofensivë e befasishme në gusht . Rusia nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar këtë.