Në 27 janar do të hapen aplikimet për kompesimin financiar të pronarëve për ato pasuri që janë prekur nga ndërtimet informale.
Agjensia e Trajtimit të Pronave njofton se procesi i aplikimeve do të jetë online dhe do të realizohet përmes e-Albania, duke kërkuar seksionin “Aplikim për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”.
Subjekti aplikues gjatë aplikimit online, duhet të ngarkojë, por edhe më pas të dërgojë me postë në ATP dokumentacionin e nevojshëm, i cili përbëhet nga kërkesa për kompensimin e pronës; Dëshminë e trashëgimisë si dhe prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim.
Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Sipas vendimin të qeverisë për këtë proces janë në dispozicion rreth 1 miliard lekë dhe procesi i aplikimit nuk do të jetë i kufizuar apo i kushtëzuar në kohë.