Shumë prej tyre luajnë në kampionate të elitës. Futbollistët e kombëtares shqiptare I gjejmë në Serinë A të Italisë, në Premier Ligën angleze, në La Liga apo në ligën e dytë të Spanjës, si edhe në Turqi, Rusi apo Lindjen e Mesme, ndonëse shumë pak prej tyre mund të quhen milionerë.

Ndonëse të paktën 11 lojtarë kuqezinj kanë rroga bruto mbi 1 milionë euro, një pjesë e madhe e këtyre parave hiqet për shkak të taksave. Në vend të parë si më I paguari është Mario Mitaj.
Mbrojtësi luan në Al Itihad në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite dhe rroga prej 3 milionë eurosh është e pataksuar, sepse kështu është politika financiare në këtë vend.

Përsa I takon pagës bruto, në vend të parë në kombëtare është Elseid Hysaj me 3.7 milionë euro në sezon tek Lacio në Serinë A, por që zbret në 2 milionë pas taksave. Më pas vjen Ernest Muçi që tek Beshiktashi në Turqi merr 3 milionë euro bruto dhe 1.8 milionë euro pas taksave. Armando Broja hyn ndër milionerët, ndonëse jo tepër të pasur, dhe kjo sepse është pjesë e Premier Ligës angleze.

I huazuar nga Çelsi tek Evertoni, sulmuesi merr 2.5 milionë euro bruto dhe 1.3 milionë euro pas pagimit të taksave. Besohet se 1 milionë euro neto e arrin apo e kalon Rej Manaj tek Sivaspori.
Sulmuesi merrte 1.5 milionë euro bruto tek Sivaspori me kontratën e vjetër, ndërsa tani duhet të ketë rritje pas rinovimit.

Pjesa tjetër e lojtarëve të kombëtares fusin në xhep më pak se 1 milionë euro në sezon. Marash Kumbullës besohet se I teprojnë 900 000 euro pas taksave, Kristian Asllanit e Gjimshitit nga 800 000 euro, Uzunit 720 000 euro, Balliut 725 000 dhe Ismajlit 700 000, edhe pse këta luajnë të gjithë në Itali apo Spanjë.

Më pak të paguarit, sipas informacioneve që kemi janë Ramadani me 450 000 në vit pas taksave, Alen Sherri me 150 000 dhe Medon Berisha me 120 000 euro.