Pas asistit për golin fitues në finalen e Superkupës, Rafael Leao duket një lojtar i ri. Më i qartë dhe më i vendosur për atë që i kërkohet dhe sidomos për çfarë i kërkon ai vetes. Kjo është edhe me e dukshme në intervistën ekskluzive të dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.
Më në fund një trofe pas dy sezonesh pa fituar asgjë…
Nuk ka qenë e lehtë, por futbolli kështu e ka. Me pronarët e rinj nuk ka ndryshuar ambicie, por disa procese kanë nevojë për kohë. Më në fund fituam një trofe dhe tani duhet vetëm të gjejmë mënyrën për t’i bërë gjërat si duhet me këtë fanellë është përgjegjësi përveç se nder i madh.
Me Superkupën duket sikur ka edhe një frymë e energji të re apo jo?
Mënyra se si fituam një finale e për më tepër kundër Interit na bëri të gjithëve të kuptojmë se cilët jemi. Vetëm Champions-i është më i rëndëishëm se kampionati, megjithatë Superkupa na ka karikuar. Ishte bukur të fitoje derbin me një përmbysje të tillë.
Çfarë ju kërkon Konseisao?
Kur u kthyem, trajneri na foli dhe na tha të mbajmë këmbët në tokë. Do i marrim ndeshjet një nga një, por unë personalisht ndjeva një tronditje të re. Konseisao ka treguar tashmë se mund të bëjë gjëra të mëdha: në karrierën e tij ka fituar shumë trofe dhe e bëri edhe me ne. Ai solli përvojën e tij dhe tani ne duam të vazhdojmë të fitojmë siç kërkohet këtu te Milani. Ne u kthyem në punë me kokën ulur sepse duhet të luftojmë për të hyrë në top katërshen.
Sipas jush, përse ju ka munguar vazhdimësia?
Nuk mund të luash gjithmonë në mënyrën më të mirë: ka edhe paraqitje “normale”. Vitet e fundit kam kuptuar që futbolli ka ndryshuar: statistikat kanë shumë rëndësi dhe ne shikojmë numrin e golave dhe asistimeve, më shumë sesa paraqitjet. Po mundohem të bëhem më agresiv para portës për të shtuar më shumë cilësi dhe për të qenë në nivelin e kampionëve.
Përse raporti juaj me Fonsekën u komentua aq shumë?
Nuk kam asgjë për të thënë për marrëdhënien tonë trajner-lojtar, edhe pse në fillim na u desh të zgjidhnim disa situata – dhe nuk e kam fjalën për probleme, por situata. Ai u përpoq të bënte punën e tij, të zbatonte idetë e tij dhe besoj se gjithmonë ka diçka për të mësuar. Por nuk funksionoi dhe nëse duhej të qëndronte apo jo, sigurisht që nuk ishte në dorën time. Megjithatë, mund të them se të gjithë u përpoqën të japin më të mirën dhe i uroj Fonsekës më të mirën.
Çfarë ju thoshte kur ju mbante në stol?
Mendoj se mund të jepet një shpjegim për tre pankina radhazi, por ndonjëherë trajnerët o bëjnë këto zgjedhje… Ishte hera e parë që më ndodhte te Milani dhe nxora disa mësime. Nëse ndodh përsëri, dhe shpresoj jo sepse dua të jem gjithmonë në fushë, do të jem më i vetëdijshëm për atë që duhet të bëj, që është të qëndroj i përqendruar, të mos druhem ose të humbas besimin te vetja, që është më e rëndësishmja. Jemi profesionistë dhe duhet të bëjmë më të mirën në punën tonë. Në çdo rast, e kaluara është e kaluar dhe unë e shikoj të ardhmen me besim.
Po Ibra, çfarë ju thotë?
Zlatan është një person kaq i rëndësishëm, punon me mendjen time e më thotë që duhet të rris nivelin në çdo rast për të provuar gjithmonë të fitoj. Ai ka një karrierë shumë të suksesshme dhe nuk mund ta krahasoj veten me të: Ibra është shembull. Për mua dhe për të tjerët. Ai e di se çfarë duhet për të fituar dhe përpiqet t’ia fusë këtë ide në kokë secilit prej nesh.
Çfarë planesh keni për karrierën tuaj?
Synimi im është të jem në krye dhe të afrohem me më të fortët. Nëse trajneri është i zoti, mund të më ndihmojë, pjesa tjetër varet nga unë. Përpiqem të vë në shërbim të skuadrës karakteristikat e mia. Konseisao nuk i pëlqen gjithmonë të bëjë shaka, por ai di të më shtyjë dhe do të më ndihmojë të shkoj në një nivel më të lartë. Unë jam gati të dëgjoj dhe të ndjek idetë e tij. Tani duhet të mendojmë lojë pas ndeshje dhe të ruajmë energjinë pozitive që përjetuam në Arabi. Duhet të vazhdojmë kështu.
“Topin e Artë” nuk e mendoni?
Sigurisht, por për mua gjëja më e rëndësishme është të fitoj një trofe të madh me Milanin. “Topin i Artë” është pasojë e rezultateve me klubin. Kjo është arsyeja pse ambicia ime e parë është të fitoj Ligën e Kampionëve. Dhe për ta bërë këtë, e di që duhet të bëj diferencën në çdo ndeshje, duhet të jem i rëndësishëm për Milanin.
Mos po betoheni për dashuri?
Kur mbërrita këtu, isha një simpatizant i Milanit, skuadra ku kanë kaluar shumë lojtarë të rëndësishëm që kam admiruar kur isha fëmijë. E kuptova menjëherë pasionin e tifozërisë dhe çfarë do të thoshte të veshësh këtë fanellë. Mendova se doja të qëndroja te Milani për shumë vite dhe të fitoja trofe. Tani më duhet të falënderoj klubin që më solli në Milano sepse këtu jam rritur si lojtar dhe si njeri.
Cila është ambicia e Milanit për pjesën tjetër të sezonit?
Duam të bëjmë sa më mirë në kampionat dhe të kualifikohemi në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Duam që të avancojmë edhe në Europë sepse tani e tutje çdo ndeshje do të jetë si finale për ne. Mund të ëndërrojmë të fitojmë diçka të rëndësishme. Asgjë nuk është e pamundur.